Connect with us

Shkrime

Lajçak merr udhëzimet në Beograd dhe i sjell në Prishtinë

Vizita e fundit e emisarit europian për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak në Beograd dhe Prishtinë, është komentuar nga profesor Doktor Enver Bytyçi.

Ai u shpreh se Lajçak erdhi në Ballkan për të marrë mendimet e Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në lidhje me negociatat e zhvilluara ndërmjet zv. Kryeministrit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviçit.

“Ecejaket e Miroslav Lajçak në Kosovë dhe në Serbi janë rutinë e punës së tij. Ai është ndërmjetës i Bashkimit Europian në dialogun midis këtyre dy vendeve dhe për këtë shkak ka detyrë funksionale të udhëtojë vazhdimisht në kryeqytetet përkatëse për të afruar qëndrimet e palëve në bisedime. Sigurisht që udhëtimet e tij kushtëzohen ose diktohen nga bisedimet që bëjnë dy përfaqësueshit në dialog të Kosovës dhe të Serbisë, në të cilat duhen rakordime në nivelin më të lartë. Shkurt Miroslav Lajçak ishte në Beograd dhe Kosovë për të marrë mendimin e Aleksandër Vuçic dhe Albin Kurtit lidhur me dialogun e zhvilluar prej disa javësh në Bruksel midis Bislimit dhe kreut të delegacionit serb. Me siguri që të deleguarit nuk kanë marrë përsipër të mbajnë qëndrim lidhur me disa çështje të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve” –  deklaroi Bytyçi teksa dhe përmendi “ankesat” e presidentit serb për Kosovën.

“Në Beograd presidenti i Serbisë tha se kërkon të formohen asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të mos krijohen “provokime” nga ana e qeverisë së Kosovës. D.m.th se Lajçak dhe Vuçiç kanë diskutuar në këtë frymë. Por ne nuk e dimë nëse ata të dy janë në të njëjtën valë mirëkuptimi. Nuk e dimë, nëse Lajçak e Vuçiç mendojnë së bashku se “Albin Kurti provokon”, dhe se kryeministri i Kosovës “është pengesë” për asociacionin. Me siguri që Vuçiç i është ankuar Lajçak-ut për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, siç edhe e shkruan kushtetuta e vendit. Nuk e dimë, sa kryenegociatori europian është karikuar në Beograd me kasetën e “fajeve” të Kosovës në këtë dialog”, theksoi analisti politik.

Më tej, profesori vlerësoi se Lajçak në Kosovë erdhi i ndikuar nga Beogradi, dhe udhëzimet që ka marrë të Vuçiçi, i prezantoi si “rekomandime” të Brukselit.

“U pa qartë se ai erdhi në Kosovë me një axhendë të ndikuar nga Beogradi. Kjo ka ndodhur vazhdimisht në diplomacinë lëvizëse të Lajçak. Ai ka marrë “kasetën e zezë” te Vuçic e madje edhe te Radoiçic i Listës Serbi para një ose dy vitesh dhe pastaj shkoi në zyrën e Albin Kurti për t’i zbrazur në formën e një opsioni të mendimit të BE-së. Ajo që unë kam vënë re pra ka të bëjë me faktin se Lajçak i merr udhëzimet në Beograd dhe i sjell në Prishtinë si “rekomandime” të Brukselit. Jam i sigurt se ndikimi i sindromit serb të Vuçiçit u shfaq në bisedimet me kryeministrin e Kosovës” – theksoi profesori I njohur, duke shtuar se emisari europian tentoi Lajçak me çdo kusht ta bindë Kurtin që të pranojë kërkesat e tij.

Bytyçi vlerësoi gjithashtu se është në cilësinë e diplomatëve të gënjejnë për të kapur ndonjë “trofe të pamundur”, por që sipas tij është detyrë e Kurtit që të mos bie pre e mashtrimit të Lajçakut.

Interesi i Kosovës është e duhet të mbetet nënshkrimi dhe zbatimi nga ana e Beogradit të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Por këtë e refuzon presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Ndërkohë, Lajçak do të përpiqet që ta bindë Kurtin, duke i thënë se nga Vuçiç ka garanci për zbatimin e marrëveshjes. Sepse është në cilësinë e diplomatëve të gënjejnë për të kapë ndonjë trofe të pamundur. Premtojnë gjëra që nuk janë as në tagrin, as në dorën e tyre. Por ata, atë detyrë kanë, të të mashtrojnë, siç mashtruan p.sh Hashim Thaçin. Është detyrë e kryeministrit Kurti të mos mashtrohet. Dhe unë besoj shumë se ai nuk mashtrohet. Nëse Albin Kurti bën diçka, kjo do të thotë se është i vetëdijshëm për atë që bën. Nuk bën asgjë nga naiviteti” – potencoi profesor Enver Bytyçi

 

 

Advertisement