Kosova
Stuhi zjarri/ Dinari ndez luftën, paralajmëron media franceze
“Çështja e dinarit kërcënon të nxisë ripërtëritjen e konfliktit në pjesën veriore të Kosovës, posaçërisht pas zgjerimit të vargut të çështjeve të pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë” – Kështu shkruan rrjeti francez i lajmeve “Radio France Internationale” në një artikull mbi rrjedhën e tensionuar midis dy fqinjëve armiqësorë që assesi nuk po dalin nga situata parakonfliktuale.
“Kosova është në prag të një krize të re me qeverinë që ndalon përdorimin e parave serbe, pavarësisht se vendet perëndimore kanë paralajmëruar se kjo mund të nxisë një stuhi zjarri. Kjo lëvizje e fundit kërcënon të ndezë serinë e gjatë të konflikteve me pakicën serbe të Kosovës” – theksoi RFI në artikullin e titulluar: “Ndalimi i dinarit serb rrezikon krizë të re në Kosovë”.
Në një editorial të rrjetit evropian të lajmeve “Euronews” paralajmërohet se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme, ku specifikohet se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro dhe rrjedhimisht, përjashtohet dinari serb në Kosovë, mund të shtojë shtresa të reja tensioni në një ambient të njohur.
“Kosova duket se rrezikon një valë të re të tensioneve etnike me vendimin për të hequr dinarin serb nga sistemi monetar. Ndalimi i transaksioneve në dinarë mund të përjashtojë në mënyrë efektive pakicën lokale serbe, të cilët përdorin gjerësisht dinarin, nga sistemi financiar në Kosovë, dhe kjo mund të sjellë një tjetër krizë me Serbinë” – shkruan “Euronews.com”.
Në raportimin e medias se njohur, për këtë çështje thuhet ndër të tjera edhe se Serbia zgjodhi pikërisht këtë moment për të shqyrtuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
“Qeveria e Serbisë e sheh lëvizjen e Kosovës si një provokim dhe analistët thonë se pothuajse me siguri do të dëmtojë përpjekjet e vazhdueshme për të qetësuar tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në artikullin e “Euronews” në formë paralajmërimi, të titulluar- “Të gjitha bastet janë të vlefshme derisa Kosova dhe Serbia përballen me një krizë valutore”.
Dy ndër gazetat kryesore në Britaninë e Madhe – “Financial Times” dhe “The Telegraph” – kanë shkruar gjithashtu për rregulloren e ndryshuar të BQK-së, duke i kushtuar vëmendje të veçantë kërkesës së QUINT – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia – që Qeveria e Kosovës ta pezullojë zbatimin e rregullores.
“Kosova po sfidon lutjet e perëndimit që ta shtyjë vendimin për ndalimin e monedhës së Serbisë për transaksionet me para të gatshme në territorin kosovar, një propozim që ka shkaktuar tensione të reja midis dy vendeve pas dekadash paqëndrueshmërie në rajon”- shkroi “Financial Times”.
“Kosova ndaloi përdorimin e monedhës serbe, duke kërcënuar të shkaktojë një krizë të re në rajon”, shkroi nga ana tjetër “The Telegraph”
“Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar se këmbëngulja e qeverisë kosovare që serbët etnikë të miratojnë euron mund të çojë në një ripërtëritje të përplasjeve. Mosmarrëveshja rreth dinarit rrezikon ta zhysë kombin ballkanik përsëri në trazira” – thekson media britanike
Teksa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë, apo nënprodukteve të pasioneve maniçeane do të zgjerohet apo serbët lokalë do të adaptohen me euron.