Kronike
Goditet mafia shqiptare në Ekuador dhe Spanjë, një shqiptar në krye të organizatës kriminale që trafikonte drogë
EKUADOR– Policia në Ekuador dhe Spanjë ka arrestuar të paktën 30 persona në operacione të njëkohshme si pjesë e një hetimi për krimin e organizuar shqiptar, tha të martën zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit. Të arrestuarit ishin pjesë e një një organizatë të dedikuar trafikut të drogës, të drejtuar nga shqiptari Dritan Gjika.
Prokurorët nga të dy vendet në kuadër të operacionit “Gran Fenix 13” kryen 57 kontrolle në gjashtë provinca të Ekuadorit dhe në katër qytete spanjolle lidhur me pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.
Kontrollet ndodhën në mes të një ofensive ushtarake të nisur nga presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa për të luftuar bandat kriminale në vendin e Amerikës së Jugut, të cilin ai e ka cilësuar si terroristë. Ushtria ekuadoriane zbuloi një depo armësh dhe sekuestroi tre ton drogë të fshehura në plantacionin e bananeve, shkruajnë mediat e huaja.
“Operacioni u krye në bashkëpunim me zyrën e prokurorit të përgjithshëm në Spanjë (ku u bënë 12 nga arrestimet dhe u sekuestruan 450,000 euro) me 45 prokurorë që morën pjesë me stafin e tyre mbështetës,” tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit përmes mediave sociale, pa duke dhënë detaje të mëtejshme.
Paratë e sekuestruara kapin vlerën e rreth 483,000 dollarë. Prokurorët gjetën gjithashtu para dhe armë zjarri, si dhe sekuestruan prona dhe automjete.
Sipas hetimeve, shqiptari Dritan Gjika ishte drejtuesi i kësaj organizate, e cila ishte ngarkuar me porositë pranë laboratorëve të prodhimit të kokainës në Kolumbi deri në koordinimin e shitjes në Evropë. Për këtë, organizata pati bashkëpunimin e disa personave që ndihmuan në koordinimin e transportit deri në kufirin me Ekuadorin, konkretisht në provincën e Carchi.
Prej aty supozohet se ngarkesa e paligjshme vazhdoi rrugën e saj në rrugë tokësore për në qendrat e saj të operimit në provincat e Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas, ku u grumbulluan sasi të mëdha substancash të paligjshme.
Sipas hetimeve, organizata kontaminoi kontejnerë me mallra të ligjshme (banane) për të transportuar drogën në Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri .Policia beson se organizata kishte informacion të privilegjuar për dokumentet detare të tregtisë së jashtme, gjë që e lehtësonte kontaminimin e disa kontejnerëve javor.