Connect with us

Politike

Berisha nga ballkoni: O burra të shpëtojmë Shqipërinë

Ish-kryeministri, Sali Berisha gjatë fjalimit të tij nga ballkoni i banesës ku ndodhet në “arrest shtëpie” është shprehur se 20 shkurti është dita e të gjithë shqiptarëve që zotohen t’i dalin për zot kombit nga ky shkatërrim.

Berisha shprehet se sot shqiptarët janë njerëzit me të përçmuar të Ballkanit, Evropës dhe me gjerë.

Ai shton se regjimi që sundon Shqipërinë, kontrollon vullnetin dhe votën e tyre.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miqtë e mi!

Për ju, për ne, për çdo shqiptar kudo që ndodhet, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë.

20 shkurti më shumë se çdo gjë tjetër është dita e dinjitetit tonë.

Sot ne jemi njerëzit më të përçmuar të Ballkanit, të Europës dhe më gjerë.

Sot ne jemi njerëzit më të nëpërkëmbur. Regjimi që sundon Shqipërinë, kontrollon vullnetin dhe votën tonë.

Shkatërron çdo ëndërr, mundësi dhe alternativë ndryshimi. Si asnjë komb tjetër ne përjetojmë një mobokraci, një diktaturë bande.

20 shkurti është dita të marrim Shqipërinë në dorë, është dita ti dalim vetes tonë, është dita të vendosim në piedestal dinjitetin tonë, është dita të ndahemi përgjithmonë nga tiranë të cilët përçmojnë dhe shkelmojnë dinjitetin dhe qenien tonë.

Miq!

Ne jemi njerëzit më të përçmuar.

Ne jemi njerëzit më të shpërfillur sepse të gjithë sa jemi këtu dhe kudo që ndodhemi, më shumë se gjysmën e të njohurve tanë nuk i kemi më në Shqipëri.

Janë larguar nga një tokë e bekuar sepse Edi Rama dhe klika e tij, organizata e tij kriminale, rilindja e tij kriminale e shndërroi Shqipërinë, dheun e tyre në tokë të mallkuar.

Ka shumë sot që e quajnë kombin tonë, një komb që po merr fund, që po shuhet, një komb që gradualisht po vdes. Dhe këta nuk janë armiq të Shqipërisë, por vëzhgues, soditës.

Mjerisht shqiptarët vetë janë të tillë. Kurrë ndonjëherë këtë katastrofë kombëtare nuk duhet ta pranojmë.

Nuk duhet të pranojmë këtë proces shkatërrimtar mbi qenien tonë kombëtare.

20 shkurti është dita, ‘o burra të shpëtojmë Shqipërinë’.

20 shkurti është dita të përballemi me më të keqen që kombi ka njohur në histori.

20 shkurti është dita e guximit pra, është dita në të cilën ne duhet të ftojmë për mbi 1 milionë shqiptarë që u larguan nga Shqipëria të përzënë nga kushtet e këtij regjimi.

20 shkurti është dita e të gjithë shqiptarëve që zotohen ti dalin zot kombit nga ky shkatërrim, si asnjë luftë tjetër.

Advertisement