Connect with us

Kosova

Del përgjimi Vuçiç-Radoiçiç/ Do shkojmë në fund, plan për sulm në Kosovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se ka dalë një video-incizim i një diskutimi mes Radojiçiç dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, ku flitet se ata janë të gatshëm t’i shkojnë deri në fund çështjes së Kosovës, edhe me mundësinë e një sulmi tjetër si ai i Banjskës.

Kusari tha se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe se një sulm tjetër serb në Kosovë është i mundshëm, teksa theksoi se vazhdimisht po dalin fakte për synimet destabilizuese të Serbisë.

“Ka edhe një video-incizim që tregon kriminelin në arrati Millan Radoiçiç, i cili në prani të Vuçiçit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe, deklaron se ata janë të gatshëm të përgatitur të shkojnë deri në fund, me riaktivizim të një sulmi të njëjtë si ai i 24 shtatorit, duke mos kursyer as jetët e tyre.

“Dhe teksa në vazhdimësi dalin fakte për synimet e Serbisë për destabilizim, kjo tregon se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë edhe ndonjë episod të ngjashëm si ai i 24 shtatorit. Ka 48 baza ushtarake të Serbisë të vendosura në kufirin me Kosovën” –  tha Kusari.

Vlen të kujtohet se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se selia qendrore e INTERPOL-it e ka njoftuar se janë futur në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtare të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ministri tha se ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila sipas tij është duke strehuar dhe akomoduar terroristët, i dorëzon tek autoritet e Kosovës për t’u përgjigjur para drejtësisë.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, INTERPOL-i pati lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për terroristin Milan Radoiçiq, i cili pati deklaruar se e kishte udhëhequr sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Advertisement