Connect with us

Rajon

Tentoi të shpëtonte nga policia greke, zbulohet emri i shqiptarit që po transportonte drogë

Është zbuluar identiteti i të riut shqiptar, i cili këtë të enjte u përplas me skuadrën “DIAS” të policisë greke, në tentativë për t’u arratisur, pasi po transportonte drogë.

Mediat greke raportojnë se bëhet fjalë për 26-vjeçarin Redon Alfred Myrdini nga Fieri. Ky i fundit ka tentuar t’i ikë policisë duke kryer manovra të rrezikshme e duke përplasur një motor të tyre. Policia nga ana tjetër është kundërpërgjigjur me të shtëna deri sa ka arritur ta vërë në pranga shqiptarin.

Fillimisht efektivë të skuadrës “DIAS” i kanë bërë shenjë automjetit të ndalonte por drejtuesi ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar. Gjatë kësaj tentative, automjeti ka përplasur motorin e skuadrës “DIAS”.

Efektivët kanë ndjekur makinën dhe kanë shtënë me armë në drejtim të gomave të mjetit. Pas kësaj kanë arritur ta ndalin atë në rrugën “Nirvana” dhe kanë arrestuar autorin.

Gjatë kontrollit brenda mjetit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 20 kg marijuanë. Myrdini është shoqëruar në Komisariatin e Agio Pantaleimona, ndërkohë që hetimet ndaj tij vazhdojnë. Nga përplasja e mjeteve dhe të shtënat me armë, nuk pati persona të lënduar.

Advertisement