Aktualitet
Reforma territoriale hyn në fazën e konsultimeve, Cërriku fton qytetarët të vendosin
Pas nisjes së procedurës së konsultimit publik për Reformën Administrativo-Territoriale, Bashkia Cërrik ka njoftuar fillimin e përgatitjeve për zhvillimin e dëgjesave me qytetarët.
Sipas njoftimit të bashkisë, procesi vjen pas shkresës së Kuvendit të Shqipërisë për projektligjin e reformës, duke shënuar nisjen e periudhës 60-ditore të konsultimit publik.
Projekti i propozuar parashikon bashkimin e Bashkisë Cërrik me Bashkinë Elbasan. Kryetari i bashkisë ka theksuar se konsultimi synon të mbledhë mendimet e qytetarëve dhe se diskutimet duhet të përqendrohen te interesi i komunitetit.
Në ditët në vijim pritet të organizohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në njësitë administrative të bashkisë, ndërsa datat dhe vendet e zhvillimit të tyre do të bëhen publike nga autoritetet vendore.