Connect with us

Politike

15 milionë euro për avionët kundër zjarreve, PD kërkon hetim nga SPAK

Partia Demokratike ka kërkuar anulimin e procedurës së prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, me vlerë rreth 15 milionë euro, si dhe nisjen e hetimeve nga SPAK për këtë proces.

Sipas PD-së, dokumentet e bëra publike mbi tenderin ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe menaxhimin e fondeve publike. Opozita ka pretenduar gjithashtu se kompania fituese, Air Tractor Europe S.L., është përmendur në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me çështje të tenderëve në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve.

Për këto arsye, demokratët kërkojnë rishikimin e procedurës dhe verifikimin e përgjegjësive përkatëse.

Ministria e Mbrojtjes ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se tenderi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke respektuar parimet e konkurrencës dhe transparencës.

Sipas Ministrisë, në procedurë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë dhe kompania fituese është përzgjedhur pasi ka paraqitur ofertën me çmimin më të ulët. Operatori tjetër, sipas saj, është skualifikuar për shkak të mosplotësimit të kritereve të kërkuara.

Lidhur me pretendimet për kompaninë fituese, Ministria ka deklaruar se ajo ka paraqitur dokumentacionin përkatës që vërteton mungesën e pengesave ligjore për pjesëmarrje në tender dhe se proceset gjyqësore të përmendura nuk kanë prodhuar vendim përfundimtar.

Debati për procedurën vijon, ndërsa blerja e tre avionëve për shuarjen e zjarreve nga qeveria është argumentuar si një investim për rritjen e kapaciteteve të emergjencave civile.

Advertisement