Aktualitet
Shqipëria më e lira në rajon, rritet kërkesa e të huajve për investime në bregdet
Bregdeti shqiptar është mjaft i lakmuar nga të huajt. Kërkesat për të zotëruar një pronë apo dhe për të investuar në Shqipëri janë shtuar vitet e fundit. Kjo gjë ka sjellë shtrenjtim të apartamenteve në të gjithë bregdetin tonë.
“Por nga vjet jemi diku 50-60% rritje në zonat elitare, Palasë, Dhërmi, Jalë dhe Gjiri i Lalzit. Zonat elitare janë dhe projektet e reja si në Durrës apo Vlorë”, thotë Elis Kishta, agjent imobiliar
Përveç shqiptarëve, sipas të dhënave 35% janë blerës të huaj jorezidentë në Shqipëri, kryesisht italianë, maqedonas, turq. Vitet e fundit po preferohen vilat, si dhe apartamentet në rezidenca. Vlera e pronave kalon në qindra mijëra euro, shifër shumë e lartë për një shtetas shqiptar.
“2023 ka qenë vit që është ndjerë prania e të huajve në blerjen e pronave…Ka qenë një variacion çmimesh nga 200 mijë euro deri në 700-800 mijë euro, por në tregun imobiliar ka dhe raste me vlera më të mëdha”, tregon Kishta.
Sipas një kërkimi të kryer në agjencitë e shitjes në vendet si Kroacia, Greqia apo dhe Mali i Zi, një apartament në vijë të parë shitet jo më pak se 250 mijë euro, ndërsa për vilat shifrat arrijnë mbi 1 milion euro.
Kërkesa për blerje ka dhe nga shqiptarët emigrantë si dhe investitorët, të cilët i blejnë këto prona për t’i rishitur në të ardhmen ose për t’i lënë me qira ditore.