Connect with us

Kosova

OKB/ Ziadeh kërkon nga Kosova, themelimin e Asociacionit

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe udhëheqësja e misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka kërkuar sërish nga Kosova që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ziadeh, në fjalimin e saj në seancën e Këshillit të Sigurimit ka deklaruar se me zbatimin e këtij elementi do të ofroheshin zgjidhje për palët.

“Një tjetër element i marrëveshjeve kryesore që mund të ofrojnë zgjidhje është marrja e hapave të sinqertë krahas themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Implementimi i plotë i marrëveshjes së fundit nga BE-ja është bërë prioritet edhe më i madh për t’u ikur krizave që janë shfaqur”- ka deklaruar Ziadeh e cila gjithashtu ka përmendur tensionet që kanë ndodhur në të kalurën, duke kërkuar sërish që të merren masa për sulmin në Banjskë.

“Vazhdojmë të theksojmë kërkimin e përgjegjësisë për këtë incident shumë serioz të sigurisë. Kjo është edhe çështje gjyqësore, por edhe domosdoshmëri politike” – ka theksuar Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara teksa ka përmendur edhe procesin e shkarkimit të kryetarëve në Veri.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, serbët e Kosovës në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan kanë mbledhur një numër të mjaftueshëm të nënshkrimeve për të nisur tërheqjen e kryetarëve në Veri nga zgjedhjet e prillit 2023-së, që ishin zgjedhur nga më pak se 4 për qind të votuesve për shkak të vendimit të serbëve për të mos marrë pjesë”- potencoi Ziadeh ndërsa ka theksuar se do të vazhdojnë ta mbështesin dialogun.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit më 18 mars të 2023-së. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

 

Advertisement