Connect with us

Kosova

Bislimi: Serbia kërkon që strukturat ilegale të financohen deri në krijimin e Asociacionit

Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë, gjatë rundit të fundit të dialogut të zhvilluar në Bruksel. Pas takimit trepalësh, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë. Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se bisedimet, që zgjatën më shumë se shtatë orë, ishin “të vështira”

Pas takimit në Bruksel, Bislimi tha për gazetarët se ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje

Ai tha se propozimi i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket çështjes së ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.

“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

Bislimi tha se kjo ide e Serbisë nuk gjeti mirëkuptimin as të Kosovës, e as të ndërmjetësit të dialogut, Mirosllav Lajçak.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin – më 2013 dhe 2015 – por, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij. Por, Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

“Sot për herë të parë, ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit. Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, Asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi.

Bislimi tha se sa i përket idesë së krijimit të një entiteti të ri biznesor në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, në mënyrë që ndihma financiare të shkojë te përfituesit, përmes konvertimit të Postës serbe, Serbia ka parë këtë ide si “ një lloj privatizim të postës” nga Kosova.

“Sigurisht, të gjitha këto propozime ishin shumë destruktive, prandaj Lajçak do të dalë me një propozim të ri dhe ne do të duhet të japim mendimet tona për këtë propozim në shtatë ditët e ardhshme”, tha Bislimi për gazetarët pas takimit trepalësh.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se rundi i ri i bisedimeve do të zhvillohet më 13 maj, duke shtuar se shpreson që të arrihet përparim “nëse është e mundur”.

“Bisedat kanë qenë të vështira dhe të tensionuara, por kanë qenë të drejtpërdrejta, gjë që është mirë. Si unë, ashtu edhe ekspertët patëm rastin të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për zgjidhjen e çështjes së dinarit, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti kërcënoi me atë vendim [ndalimin e përdorimit të dinarit] mbijetesën e popullit serb. Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht, bëhet fjalë për ekzistencën e serbëve”, tha Petkoviq në fund të takimit.

Petkoviq akuzoi autoritetet në Prishtinë se synojnë të “dëbojnë” serbët nga Kosova.

“Bislimi disa herë tha që nuk i interesojnë serbët që duan ta lëshojnë Kosovën, por i interesojnë vetëm serbët që duan të integrohen në Kosovë”, tha Petkoviq.

Takimi mes Bislimit dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq, ishte i pesti që zhvillojnë në Bruksel për çështjen e dinarit, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh me ta.

Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

Lajçak tha të martën, dy ditë para takimit të sotëm, se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, ai theksoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë.

Megjithatë, takimi paraprak javën e kaluar në Bruksel, ku nuk pati fare takim trepalësh, përfundoi pa ndonjë rezultat.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit të 18 prillit se pala serbe nuk kishte ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të BE-së.

“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi më 18 prill.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”./REL

Kosova

Si kofini pas të vjelit, Isa Mustafa ‘trimëri’ pas luftës, akuzon Kurtin

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, propozimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – që nuk është i dakorduar paraprakisht në procesin e dialogut – në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim përveç se është “paradoksal është edhe joserioz”.

Mustafa theksoi se Gjermania, Franca e Italia po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit që është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe e Ohrit (e dakorduar më 27 shkurt dhe me 18 mars), i cili në vlerësimin e tij është “një autonomi politike territoriale”.

Mustafa ndër të tjera argumentoi se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa persa i përket transformimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga kundërshtuesi më i madh, te i pari që propozon të dërgojë draft-statut për Asociacion në Kushtetuese, sipas Mustafës flet “qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë”.

“LVV e ka kundërshtuar me dhunë ta paparë ‘Zajednicën’ dhe tani po e ofron autonominë serbe si Zajednicë (Bashkësi serbe) flet qartë për karakterin mashtrues dhe të rrezikshëm të qeverisë e cila iu është shitur qytetarëve si qeveri e shpresës” – potencoi ish kryeministri Mustafa.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç gjen armiqtë e jashtëm të Serbisë dhe tregon qëllimet e tyre

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçic, duke folur për propozimin për rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, ka deklaruar se ajo ka katër qëllime. Sipas presidentit serb, një nga qëllimet është shfuqizimi i etnitetit të Republikës Serbe në BeH.

“Qëllimi i parë i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë është shfuqizimi i RS, sipas dy rishikimeve të aktgjykimit për përgjegjësinë e Republikës së Serbisë, dhe i treti është që dikush të marrë ca para nga Serbia dhe ta padisë për Kompensimi për dëmet e luftës, i katërti është barra shtesë për Serbinë dhe vendosja e gjithçkaje mbi supet e saj, por qëllimi i tyre nuk është të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta, por dëshira për të shkatërruar çdo lloj proteste kundër tyre”- pohoi Vuçic I cili nuk nguroi ti gjente kundërshtarë të Serbisë në Uashington, Berlin dhe Londër.

Gjithashtu ai nuk e ka fshehur pesimizmin se do të miratohet rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

“Për shtatë ditë përfundon seanca e OKB-së, dhe ata do të fitojnë formalisht, por nuk do t’ju them se për sa vota, por di te them se kemi luftuar”, përfundoi presidenti serb.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën, ja qëllimi sipas analistit ushtarak nga Beogradi

Aleksandër Radiç, analist ushtarak nga Beogradi, ka folur për praninë e shtuar të NATO-s në Ballkan, ndikimin rus dhe njohjen e heshtur të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sipas Radiç, NATO-s i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së stabilitetit në territorin e ish-Jugosllavisë, sepse vlerëson se ekziston rreziku i një krize sigurie.

“Forcat e NATO-s në krahun lindor janë forcuar si një masë parandaluese, teksa njësi janë vendosur për të penguar Rusinë nga përpjekjet për të zgjeruar praninë e saj në pellgun e Detit të Zi” – deklaroi Radiç duke shtuar se nuk pritet per momentin që të ndodhë diçka, sepse është dërguar një mesazh i qartë se nuk do të lejohet.

“Ndikimi më i rëndësishëm në dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës është politika e Vuçiqit, e cila zhvillohet në dy pista – në njërën, mbahen marrëdhënie të mira me Moskën, dhe në anën tjetër, pelqen bankomatin e Bashkimit Europian”

Analisti ushtarak tha gjithashtu se edhe kërcënimet e Vuçiqit janë vetëm mashtrim ndaj popullit serb dhe Serbisë.

“Beogradi ka kaluar në nivel propagandistik dhe problemi i vërtetë është se si të bëhet opinioni publik serb të pranojë politikën e Vuçiqit për njohjen e fshehtë të pavarësisë së Kosovës” – potencoi Aleksandër Radiç.

Continue Reading

Kosova

Vuçiç qau fshehurazi te Macron për ndalimin e Porfirije

Sipas doktor professor Enver Bytyçi, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kanë kritikuar qeverinë e Kosovës pse kjo e fundit nuk lejoi para pak ditësh kryepeshkopin e Serbisë, Porferije, të hynte në territorin e saj.

“E sigurt është se presidenti i Serbisë është ankuar te presidenti Macron për këtë fakt, edhe pse të gjitha këto ambasada e dinë arsyen pse Proferije nuk u lejua në Kosovë. Sepse Patriarkana e Pejës nuk ekziston, ajo është transferuar nga Peja në Serbi para shumë shekujsh. Sepse kjo Patriarkanë ishte dhe mbetet shpikje e Serbisë. Ajo as nuk ishte krijuar në Pejë, por në një fshat afër Kragujevcit, diku në Serbinë e sotme qendrore. Si e tillë, Kisha Ortodokse e Serbisë dëshiron të rikthehet në territorin e Kosovës, pra në Pejë, ndërkohë që është një institucion fetar me qendër në Beograd” – theksoi Bytyçi duke shtuar se “Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë dëshiron të vijë në Kosovë e të thotë se “Kosova është djepi i shpirtit serb”, pra se në Kosovë, praktikisht në Pejë, paska lindur Krishti i serbëve, shën Sava! Këtë të vërtetë ai e pohoi pas kthimit mbrapsht në Beograd kur u zotua se “Serbia do të kthehet në Kosovë”

Sipas deklaratës së ambasadave të QUINT-it, moslejimi i kryepeshkopit të Serbisë të hyjë në Kosovë “është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit dhe me obligimet për dialogun”.

“Pakoja e Ahtisaarit ka parashikuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe sjelljen e Kosovës ndaj Beogradit e kushtëzon me njohjen. Kurse ambasadorët që “e duan Kosovën aq shumë”, i kundërvihen vetëm Kosovës dhe i kujtojnë asaj detyrimet e Pakos së Ahtisaarit, ndërkohë që me Serbinë nuk kanë as vullnet, as dëshirë të sillen me të njëjtin kut. Për këtë arsye ka zhgënjim të madh jo vetëm te qytetarët” – deklaroi Bytyçi

Continue Reading

Kosova

Dështimi i Kosovës në KiE: Reuten: Gjermania, Franca dhe Italia iu përulen Serbisë

Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, ka fajësuar Gjermaninë, Francën dhe Italinë për mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës edhe pse sipas tij, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

“Shtetet anëtare, fatkeqësisht një rol të spikatur Gjermania, Franca dhe Italia dogjën përsëri besueshmërinë e tyre dhe iu përulën Serbisë. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, ka fituar mbështetjen e shumicës së madhe të deputetëve të shteteve anëtare dhe bën pjesë në Këshillin e Evropës, fundi i qetësimit të Vuçiçit tani”, shkroi ai në platformën X.

Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Por, Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING