Kronike
P*lagosja me ar*më e 24-vjeçarit në Shkodër, sherri nisi pas debatit për kalimin në vijat e bardha
Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e një dite më parë e shtetasit Jaser Osmani në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00 të 11 majit në lagjen “Salo Halili” bën të ditur policia vendore e Shkodrës teksa dyshohet se gjatë një konflikti të çastit mbeti i plagosur 24 vjeçari.
I dëmtuari Jaser Osmani mori një plumb në këmbë dhe menjëherë u dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës teksa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë shërbimet e policisë shkuan në vendngjarje duke vijuar kontrollet për kapjen e autorit.
Policia identifikoi autorin e dyshuar, shtetasin Gentian Mithi, 46 vjeç, banues në Shkodër. Sipas policisë nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi i shpallur në kërkim Gentian Mithi, pas një konflikti të çastit me Jaser Osmanin, e ka plagosur atë me armë zjarri pistoletë dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve nga vendngjarja dhe pranë policisë së Shkodrës dyshohet se autori i dyshuar dhe i plagosuri e kanë nisur konfliktin e tyre në qendër të Shkodrës, në lagjen “Parrucë”. Gjithçka ka nisur pas një debati mes tyre për kalimin në vijat e bardha në rrugë.
24-vjeçari i plagosur po ecte në këmbë duke tentuar që të kalojë në anën tjetër të rrugës pikërisht në vijat e bardha. Në atë moment autori i dyshuar ka qenë duke kaluar me automjet. I plagosuri pretendon se ishte e drejta e tij për të kaluar në rrugë ndërsa autori i dyshuar pretendoi se duhej të kalonte ai me makinë. Palët kanë debatuar mes tyre.
Pas pak çastesh shtetasi Gentian Mithi dyshohet se ka shkuar në afërsi të banesës së 24 vjeçarit në lagjen “Salo Halili” në vendin e njohur si “Çinari i Tophanës” dhe aty mendohet se e ka plagosur me armë zjarri pistoletë dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Policia vijon që të jetë në ndjekje të autorit të dyshuar për të bërë të mundur gjetjen e më pas kapjen e tij ndërsa grupi hetimor vijon punën për ta zbardhur të plotë ngjarjen e ndodhur pasditen e 11 majit në Shkodër.