Politike
Premton Basha: Nuk do e lë Shqipërinë peng të një grushti njerëzish
Lulzim Basha, pasi humbi vulën e logon e PD-së, madje edhe ata pak deputetë që i kishin mbetur, zotohet nga Korça se nuk do e lërë Shqipërinë të jetë peng i një grushti njerëzish, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama, kreun e PD, Sali Berisha dhe kreun e PL, Ilir Meta.
Basha tha se ai do u ofrojë shqiptarëve alternativën e duhur për ndalimin e largimit të të rinjve nga vendi, pasi sipas tij, rruga e vjetër që ofrojnë politikanët në Shqipëri nuk të çon askund.
“Shqipëria nuk do të jetë peng i një grushti njerëzish që kanë hallet e tyre me drejtësinë, asgjë nuk do t’i ndalojë demokratët të mbrojnë dhe përfaqësojë idealet e lirisë, demokracisë, të mbrojnë dhe ruajnë aleancat euroatlantike dhe të mishërojnë ëndrrat e shqiptarëve për ndryshim.
Ne kemi shpalosur një alternativë, dhe duam ta diskutojmë me ju nëse është alternative e duhur për t’iu bindur që në rradhë të parë të bëjmë betejë për këtë alternativë. Dhe së dyti, për t’ia shpalosur shqiptarëve dhe për t’i kërkuar që të na ndjekin në një rrugë tjetër. Boll më me këtë rrugë të vjetër, nuk ka zgjidhje kjo rrugë e vjetër. Kjo ka vetëm halle, ka vetëm probleme, ka vetëm drama, ka vetëm largimin. Ata duan të vazhdojnë këtë lojë fallco me njëri-tjetrin. Mua personalisht jo vetëm që nuk më shkurajon ky bashkim i të vjetrës kundër alternativës, kundër projektit të shpresës, por më motivon më shumë se tregon që ata kanë frikë.
Si të dalim nga kjo situatë? Si të dalim nga kjo gjendje? Me një projekt të qartë që ia kthen Shqipërinë të rinjve, ua kthen shanset dhe mundësitë të rinjve. Siç e thamë, që nga shkollimi, që nga përgatitja profesionale.
Ekonomia e re. Cila është ekonomia e re? Që nga teknologjia e informacionit, tek robotika, tek energjia e rinovueshme, te bioteknologjia. Dhe me këto profesione ne mund t’i mbajmë të rinjtë shqiptarë këtu në Shqipëri me rroga minimale prej 2 mijë eurosh në muaj. Kush do ta lërë Korçën në qoftë se nesër ka një diplomim dhe një profesion që paguan 2 mijë euro në muaj? Askush nuk do ta lërë. Ky investim është plotësisht i mundshëm. Është një fraksion i abuzimeve të kësaj qeverie me inceneratorët”, tha Basha.