Connect with us

Kosova

Konjufca: Në Serbi po përgatiten për sulm ose provokim eventual në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se institucionet e vendit kanë “informacione të sakta” se “një grup prej qindra personash” në Serbi janë duke u përgatitur për një sulm eventual në Kosovë.

“Institucionet tona të sigurisë janë në vigjilencën më të lartë për t’u përballur me çfarëdo që vjen – ose sulm, ose provokim – nga ana e Serbisë”, tha ai.

Duke mos ofruar më shumë detaje, ai tha se institucionet e Kosovës “janë në koordinim të plotë edhe me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që veprojnë në Kosovë”.

Konjufca i bëri komentet në një konferencë për gazetarët në Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakocar Zupançiq.

Ngjashëm u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar, kur tha se Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për një sulm të armatosur në veri të Kosovës, shtatorin e kaluar, “vazhdon trajnimet në Serbi” për sulme të reja në Kosovë.

Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – besohet se është i lirë në Serbi.

Në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, kundër policisë së Kosovës, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ngjarja nxiti shqetësime për sigurinë rajonale dhe thirrje nga bashkësia ndërkombëtare që autorët të sillen para drejtësisë.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha në fundjavë se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin lidhur me ngjarjet e shtatorit të kaluar.

Si SHBA-ja, ashtu edhe Bashkimi Evropian i kanë bërë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Javën e kaluar, Kurti ishte në Bruksel për një rund të ri bisedimesh me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por takimi nuk u realizua për shkak të disa kushteve që nxori Kurti e që Vuçiq nuk i pranoi – në mesin e tyre edhe dorëzimi i Radoiçiqit.

Advertisement