Kronike
‘Barbarë, rracë e poshtër’/ Masakra në Memaliaj, Kikia i ashpër: Hëngshin kokat
Nga Mentor Kikia
Barbarë…..
Nesë dikush ndjehet i fyer, i kërkoj ndjesë që në fillim, por nuk gjej titull tjetër.
Grupe kriminale kanë luftë mes tyre. Pasi është vrarë X, për hakmarje vritet Y dhe Z. Dhe pas këtyre vritet nje tjetër…. Dikë e rrëmbejnë dhe e zhdukin. Nuk lënë prova dhe, kur arrestohen, më të shumtët lirohen. Por kriminelët, mes tyre, e dinë se kush janë autorët. Dhe ata e bëjnë vetë drejtësinë. Gjuetia vazhdon…. Por, kur nuk vrasin dot njëri-tjetrin, bëjnë masakra.
Kështu ishte ajo e mbrëmshmja në Memaliaj. Pasi kishin tentuar disa herë të vrisnin dy nga djemtë, barbarët mësynë në një lokal dhe i vranë të atin. Të paktën kjo është pista kryesore e hetimit deri tani!
Për të çuar në fund hakmarjen primitive, nuk pyetën për “dëme anësore”. Vranë edhe kamarierin që ishte duke shërbyer. Edhe një klient që pinte kafe për qejf të vet në lokal. Edhe një tjetër person u plagos rëndë, e është në luftë me vdekjen.
Rracë e poshtër!
Shpesh, kur këta qërojnë njëri-tjetrin, edhe unë mendoj se shprehja “hëngshin kokat”, mund të jetë e duhura. Por kur këta nuk hanë dot njëri-tjetrin, hanë ç’tu dalë përpara me hakmarjen e tyre barbarë e primitive.
Zot, mos qofshim në vendin e gabuar në kohën e gabuar!