Bota
Atentati ndaj Trump/ Publikohen mesazhet, oficerët e sigurisë ishin në dijeni 90 minuta para se të qëllonte
Mesazhet me tekst zbuluan se strukturat e zbatimit të ligjit, përgjegjës për monitorimin e tubimit të ish-Presidentit Donald Trump në Pensilvani, kishin evidentuar atentatorin e mundshëm të paktën 90 minuta para se ai të hapte zjarr.
Mesazhet, të publikuara në Fox News Digital nga senatori Chuck Grassley, R-Iowa, i cili i mori ato nga Njësia e Shërbimeve të Emergjencave të Qarkut Beaver, treguan se oficerët e identifikuan 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks pasi u vu re se ai po përdorte një zbulues distancash – por nuk iu afruan.
Pamja e parë e ekranit është një bisedë në grup me oficerët e Beaver ESU, ndërsa e dyta është nga një snajper i Qarkut Beaver që kishte turnin e tij rreth orës 4:30 – afërsisht një orë e gjysmë përpara se Trump të dilte në skenë.
New York Times raportoi fillimisht pamjet e tekstit.
Në një bisedë në grup, rreth orës 16:36, kur një nga oficerët i dërgoi mesazhe se turni i tij po mbaronte, ai paralajmëroi se një burrë, i identifikuar më vonë si Crooks, kishte parkuar pranë automjetit të tyre.
“Dikush ndoqi shembullin tonë dhe u fut dhe u parkua pranë makinave tona vetëm që ta dini”, thuhej në mesazh.
Një mesazh vijues thoshte se Crooks ishte rreth 50 metra larg daljes së tubimit, i ulur në një tavolinë pikniku.
Dy kundër-snajperistë të tjerë u përgjigjën me një emoji me gishtin e madh lart.
Përafërsisht 45 minuta më vonë, në orën 17:10, oficerët njoftuan se Crooks ishte në lëvizje dhe ishte pozicionuar pranë ndërtesës American Glass International (AGR). Crooks më vonë do të vendosej në majë të ndërtesës së AGR për të synuar ish-presidentin.
Ndërsa Crooks priste, një oficer shkrepi një foto të të dyshuarit 20-vjeçar.
Fotografia tregonte Crooks të mbështetur në ndërtesën e AGR me flokët e tij të yndyrshëm deri tek supet dhe bluzën gri.
“AGR besoj se është. E pashë atë me një zbulues distancash që shikonte drejt skenës. FYI. Nëse doni të njoftoni snajperët SS që të shikojnë.”
“E humba nga sytë”, shtoi oficeri.
Tekstet e sapopublikuara tregojnë se autoritetet dinin për personin e dyshimtë, të identifikuar më vonë si Crooks, afër 90 minuta para të shtënave – duke përditësuar kohën e mëparshme të njohur prej rreth 60 minutash.
Nga ora 18:11, afërsisht 1 orë pas dërgimit të mesazhit të fundit me tekst, “fëmija” do të vritej nga një kundër-snajper pasi ai hapi zjarr ndaj pjesëmarrësve të tubimit.