Connect with us

Aktualitet

‘Furtunë’ në Policinë e Shtetit, ikën Rrumbullaku dhe drejtuesit e 12 qarqeve

‘Furtunë’ në Policinë e Shtetit. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit do të ikin nga detyra, për t’i hapur rrugë reformimit të Policisë së Shtetit. Ripërtëritjen në radhët e policisë e njoftoi ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili kishte thirrur në një takim të gjithë vartësit e tij.

Shqiptarja.com mësoi përmes burimeve dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit një ditë më parë, ndërsa në vend të tij është komanduar zv.drejtori Sokol Bizhga, sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit.

Në takimin e shkurtër me drejtorët, ministri Hoxha tha se ka ardhur koha për të kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish për çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e uniformave blu drejt Shqipërisë 2030.
“Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.

Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, tha ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.

Ministri Hoxha u shprehu mirënjohjen për detyrën dhe njoftoi se është hapur gara për kreun e ri të Policisë.

Advertisement