Politike
“Mos ‘vdesësh’ politikisht me turp”/ Basha tregon çfarë i tha Berishës para 3 vitesh
“Takimin e parë për rithemelimin unë ju thashë shqiptarëve se i kisha deklaruar Lulzim Bashës, më mirë qiri i fikur, se qiri i fëlliqur. Dhe ky është një parim i lashtë, por një parim që shpreh betejën e njeriut për dinjitet, dinjitet njerëzor dhe dinjitet kombëtar.”
Pas kësaj deklarate të kreut të PD-së, Sali Berishës në konferencën e sotme me gazetarët ka ardhur dhe ragimi nga ish-kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e konsideron si mashtrim dhe përçartje.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se tre vite më parë i ka thënë Berishës që të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp. Sipas deputetit të PD-së, Berisha qartazi ka zgjedhur këtë të dytën, teksa shton më tej se më shumë e shqetëson fakti se për hallin e tij, Berisha ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.
Reagimi i plotë:
“Trishtim që pas tre vitesh mashtrime e dështime të vazhdosh të dëgjosh përçartjet e Sali Berishës. Ajo që i kam kërkuar tre vite më parë është të largohet me dinjitet dhe të mos “vdesë” politikisht me turp.
Ai qartazi ka zgjedhur këtë të dytën. Por mua nuk më shqetëson më halli personal i Sali Berishës, por fakti se për hallin e tij ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po minon opozitën duke i shërbyer Edi Ramës.
Siç e kam thënë tre vite më parë, koha është ilaçi më i mirë dhe mbart të vërtetën më të madhe.
Sot nuk ka shqiptar që nuk e di dhe nuk e pa se Sali Berisha e donte PD për ta shndërruar në mburojë të tij përballë drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Asnjë pikë dinjiteti nuk i ka mbetur atij që i ka shitur zgjedhjet Edi Ramës në këmbim të vulës, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të amnistuar të korruptuarit e Edi Ramës ndërkohë që mban në ndjekje penale protestuesit demokratë, atij që i bashkoi votat me Edi Ramën për të mbyllur listat, duke i dhënë më shumë pushtet Edi Ramës.
Shqipëria meriton më shumë se kooperativa e bashkuar Rama-Berisha, që punojnë vetëm për interesat e tyre, kundër interesave të Shqipërisë.”