Connect with us

Politike

Meta për protestën e 7 tetorit: E vetmja rrugë për të luftuar narkoshtetin

Presidenti i Partisë së Lirisë,Ilir Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të PL-së ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e opozitës që do të mbahet më 7 tetor. Meta gjithashtu tha se e vetmja rrugë për të luftuar atë që e quan “narkoshteti” është përballja ballore.

Kreu i PL-së tha po ashtu se emrat e deputetëve kandidatë do të jenë si Tedi Blushi, ndërsa shtoi se “deputetë sufllaqesh nuk çon Ilir Meta në Parlament”.

“Deputetët do të jenë si Tedi Blushi. Deputetë sufllaqesh nuk çon Ilir Meta në Parlament, dakord? Risqet që ka sjellë narkoshteti rëndojnë çdo shqiptar dhe mbi vendin në mënyrën më kërcënuese. Siguria e jetës, punës dhe pronës, është në pikëpyetje për çdo shqiptar. Sot është koha që gjithsecili të marrë përgjegjësitë e tij dhe ne në radhë të parë. Narkoshteti shkulet kur çdo shqiptar ushtron përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe ndaj vendit dhe njëkohësisht ndëshkon me votë dhe protestë të vazhdueshme.

Unë jam i bindur se ndjenja e protestës dhe pakënaqësisë e akumuluar prej kohësh te çdo shqiptar që ndjen peshën e korrupsion skizofrenik të qeverisë për pasigurinë e punës, pronës, shëndetit, çmimeve stratosferike dhe kostos së lartë të jetesës, jam i bindur se flaka e zemërimit të tyre do të shpërthejnë. Geni patriotik i shqiptarëve është zgjuar. E vetmja rrugë është përballja ballore. Partia e Lirisë mbështet protestën kombëtare të thirrur me 7 tetor. Të tregojmë se populli nuk dorëzohet dhe që fuqia e bashkimit qytetar është shumë herë me e madhe se terrori që narkoshteti tenton të mbjellë te qytetarët tanë”, u shpreh Meta.

Advertisement