Aktualitet
Zjarri pushton kodrën në Palasë, flakët përhapen nga era, ndërhyn helikopteri
Një vatër e madhe zjarri vijon të jetë aktive pranë Palasës, ku flakët kanë përfshirë një kodër dhe prej mesnatës kanë vënë në alarm autoritetet lokale.
Zjarri është favorizuar nga temperaturat e larta dhe erërat e forta, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka dhe duke rritur rrezikun e përhapjes së tij në zona të tjera.
Gjatë gjithë natës, në terren kanë punuar ekipet zjarrfikëse, efektivët e Policisë së Shtetit dhe punonjës të zonave të mbrojtura, të cilët janë përpjekur të izolojnë vatrën dhe të frenojnë avancimin e flakëve.
Për shkak të terrenit të thyer dhe përmasave të zjarrit, gjatë ditës së sotme është angazhuar edhe një helikopter, i cili po kryen ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në neutralizimin e vatrave aktive.
Autoritetet bëjnë me dije se situata vijon të monitorohet, ndërsa operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit mbetet ende në zhvillim. Deri tani nuk raportohet për dëme në banesa, por ndërhyrja vijon për të shmangur çdo rrezik për zonat përreth.