Connect with us

Politike

Pas lirimit Beqaj sfidon SPAK: Nuk u gjet asnjë pasuri e paligjshme

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së për zëvendësimin e masës së sigurisë nga paraburgim në “arrest në shtëpi”, duke kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe duke e cilësuar qëndrimin në qeli si të pajustifikuar.

Përmes një deklarate të publikuar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj argumenton se vendimi i gjykatës erdhi pasi kishin përfunduar afatet ligjore të paraburgimit dhe se vijimi i kësaj mase nuk mbështetej më në dispozitat e procedurës penale.

Beqaj thekson se për 25 muaj ka qenë në paraburgim në kuadër të hetimeve të SPAK, ndërsa prej 16 muajsh është i pandehur, por sipas tij ende nuk ka një vendim dënimi ndaj tij, as në shkallën e parë të gjykimit.

Ai pretendon se vendimi i gjykatës u parapri nga një arsyetim i seancës paraprake, ku sipas tij janë vlerësuar si të pamjaftueshme argumentet dhe provat e paraqitura nga organi i akuzës për vijimin e procesit në atë formë.

Ish-ministri ka kundërshtuar edhe akuzat për periudhën kur ka mbajtur poste publike, duke deklaruar se gjatë hetimeve nuk është gjetur asnjë provë që pasuria e tij të jetë shtuar në mënyrë të paligjshme si pasojë e funksioneve shtetërore.

Beqaj, i cili ka qenë ministër i Shëndetësisë për rreth tre vite e gjysmë dhe më pas drejtues i SASPAC, shprehet se tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga një pozicion tjetër, duke theksuar se do të ketë mundësi të marrë pjesë në proceset gjyqësore jashtë paraburgimit dhe me akses më të plotë në materialet e dosjeve.

Në deklaratën e tij, ai ka komentuar edhe reagimin e ish-kryeministrit Sali Berisha pas lirimit të tij, duke thënë se nuk do t’i përgjigjet në këtë moment, por se do të ketë mundësinë të përballet me të në vjeshtë, kur Berisha pritet të dëshmojë në një proces që lidhet me koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.

Beqaj pritet të vijojë proceset penale ndaj tij nën masën “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet dhe gjykimi do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.

Advertisement