Politike
Triblon Gaz Bardhi: E kisha me murin, jo me Elisa Spiropalin
Politikani demokrat Gazment Bardhi ka tentuar “t’i hedhë hi syve” publikut duke pretenduar se ditën e hënë nuk kishte qëlluar me këmbën e karriges në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropalit, por kishte synuar vetëm murin.
I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, Bardhi është ballafaquar nga Blendi Fevziu me videon e incidentit, por deputeti demokrat ka mohuar se ka bërë një veprim të tillë, edhe përse pamjet provojnë të kundërtën.
“Në fakt kam goditur murin. Nuk e di që Elisa Spiropali e konsideron veten mur. As si gjest nuk është as i këndshëm dhe as i dëshiruar nga deputetët e opozitës. S’ka asnjë tejkalim të drejte derisa nuk është lënduar askush. Zonja në fjalë ka shkelur ligjin.
Nëse unë të dukem dhunues grash, gabon. Nuk ka patur asnjë qëllim për të dhunuar asnjë grua. Nuk ka pasur si qëllim për të lënduar askënd në sallën e Kuvendit”, u shpreh politikani Gazment Bardhi.
Opozita shqiptare nisi në fillim të kësaj jave përshkallëzimin e aksionit opozitar, kur Kuvendi i Shqipërisë njoftoi zyrtarisht përfundimin e mandatit të Ervin Salianjit, për shkak të dënimit me 1 vit burg për “Babalen”. Vendimi i Spiropalit u bë shkak për incident mes saj dhe Bardhit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, sapo dëgjoi për vendimin për kolegun Salianji, mori këmbën e karriges dhe e hodhi me forcë në drejtim të kryeparlamentares.
Siç u pa dhe nga pamjet live që transmetuan mediat dhe vetë Kuvendi i Shqipërisë, brenda sallës së seancës plenare, Elisa Spiropalin e shpëtoi fati dhe reagimi i shpejtë i punonjësit të Gardës, i cili zgjati dorën dhe devijoi drejtimin e këmbës së karriges.