Politike
Shpërdorim detyre/ SPAK kërkon 4 vite burg për ish-Kryebashkiakun e Durrësit
SPAK kërkon dënimin e Vangjush Dakos, ish-Kryebashkiak i Durrësit me 4 vite burg. Duke qenë se ndaj Dakos është aplikuar gjykimi i shkurtuar, ai mund të vuajë 2.8 vite burg, nëse kërkesa e SPAK pranohet nga GJKKO.
Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur seanca gjyqësore në ngarkim të Vangjush Dakos dhe 3 personave të tjerë.
Në këtë seancë, Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, do të paraqesë pretencën për ish-Kryebashkiakun e Durrësit, hetimi ndaj të cilit ka nisur në 2020, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Dako nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Lidhur me pallatin, ish-Kryebashkiaku Vangjush Dako akuzohet se ka zbardhur lejen me vonesë duke i hapur rrugë legalizimit dhe duke mos mbrojtur zhvillimin e territorit.
Ndërsa sa i takon episodit të dytë, Prokurori Kllapi tha se gjatë seancës se Bashkia Durrës ka dashur të blejë projektin Promenadë.
Ky projekt kishte synim zhvillimin e plazhit dhe krijimin e një zone rekreative . Në vitin 2012 në buxhetin e shtetit ishte parashikuar një tenderim 22 milionë lekë.
Në 2013-ën, Vangjush Dako ka ngritur një grup pune të përbërë nga 3 persona të tjerë. Grupi i punës ka bërë një gabim në projektim dhe sipërfaqe duke përcaktuar 24 hektarë dhe jo 2.4 hektarë sa ishte në të vërtetë.
Ish-Kryebashkiaku socialist i Durrësit u arrestua në muajin qershor të vitit 2023, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.