Politike
Rrëfimi i Metës nga qelia: Më mban brenda trekëndëshi Rama – Dumani – McGonigal
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë këtë të enjte një intervistë për emisionin “Debat” në A2 CNN. Nga qelia numër 5 aty ku ndodhet i burgosur prej 3 muajsh Meta ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend. Fillimisht Meta rrëfen sesi ka kaluar 3 muajt e arrestit në qeli, teksa thotë se edhe pse tashmë është duke jetuar në 12 metra katrorë ndjehet edhe më i lirë. Ai ngre akuza të forta për mënyrën e arrestimit ndaj tij, të cilin e cilëson si një rrëmbim dhe jo arrestim.
Pyetje: Zoti Meta, kanë kaluar më shumë se 3 muaj që ndodheni i arrestuar. Së pari si ka kaluar kjo periudhë në izolim për ju?
Meta: Përshëndetje Alba dhe urime për ju dhe stafin tuaj nga qelia Nr.5. Unë nuk jam arrestuar, por siç e ka parë i gjithë opinioni publik, jam rrëmbyer nga banditë me maska, të paidentifikuar, pa asnjë urdhër – arresti dhe jam futur forcërisht në një makinë me targa private. Pra jam i rrëmbyer publikisht si askush në vendet e Këshillit të Europës apo të NATO-s. Raste të tillla sigurisht ka patur në Bjellorusi, ku para pak ditësh, Lukashenko “triumfoi” për një mandat të 7 rradhazi duke “garuar” me disa kandidatë kukulla tip 0.99 si këto partiçkat “opozitare” që krijon e rikrijon “Rilindja” këtu në çdo prag zgjedhjesh.
Edhe këtu meqënëse uzurpatori i gjithë pushteteve kërkon të “fitojë” një mandat të katërt duke garuar me 0.99 e tij, urdhëroi rrëmbimin tim kriminal, siç urdhëroi arrestimin e z. Berisha para 14 muajve e së fundi edhe këtë masën absurde për paraqitjen e tij në SPAK-un që ka mbyllur hetimet.
Siç ka urdhëruar edhe burgosjen politike të Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Ervin Salianji, siç ka urdhëruar përndjekjen e Kryetarit të PR, z. Mediu, në kundërshtim me çdo parim të shtetit të së drejtës, siç ka urdhëruar publikisht dy ditë para zgjedhjeve vendore rrëmbimin e z. Fredi Beleri, e kështu me rradhë.
Unë vërtet jam i izoluar në mënyrë ekstreme dhe po kështu jetoj në 12 metra katrorë qeli, por ndjehem edhe më i lirë se më parë e po kështu plot besim se e drejta dhe e vërteta do të triumfojë mbi padrejtësinë e Ramaformës që kërkon mandat të përjetshëm duke asgjesuar pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira, për të garantuar pandëshkueshmërinë e “Kryetarit të Organizatës” dhe Narkoregjimit.
I pyetur në lidhje me kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët e PL, Meta është shprehur se takohet vetëm një herë në javë me familjarët si të gjithë të paraburgosurit e tjerë. Meta më tej hedh akuza se është duke u mbajtur peng në burg sipas tij nga “Trekëndëshi i Nevadës”, McGonigal – Rama – Dumani, të cilët sipas Metës duan të asgjesojnë totalisht pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar.
Pyetje – A kanë qënë të vështira kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët në PL?
Meta: Unë takohem vetëm një herë në javë me familjarët e mi si të gjithë të paraburgosurit e tjerë dhe s’kam asnjë ankesë në këtë drejtim. Por sigurisht që unë jam rrëmbyer këtu për të m’u pamundësuar ekstremisht mundësia e takimeve apo komunikimeve me bashkëpunëtorët e mi dhe të gjithë anëtarët e simpatizantët e Partisë së Lirisë.
Po kështu për të m’u pamundësuar edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ju dhe të gjithë gazetarët, analistët dhe qytetarët. Unë jam “syrgjynosur” këtu për të m’u pamundësuar jo vetëm mbrojtja në publik ndaj të gjitha pseudoakuzave, por mbi të gjitha për të shpalosur programin e mrekullueshëm dhe konkret të Partisë së Lirisë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus.
Unë jam duke u mbajtur peng këtu sepse “Trekëndëshi i Nevadës”, McGonigal – Rama – Dumani, duan të asgjesojnë totalisht bashkë me pluralizmin politik edhe sovranitetin e popullit shqiptar dhe çdo interes kombëtar të tij duke sorosifikuar cdo institucion të Shtetit dhe cdo qelizë të shoqërisë, përfshirë edhe shpërbërjen e familjes.
I pyetur më tej nëse ka detaje të reja për dosjen dhe akuzat që SPAK ka ngritur ndaj Metës, presidenti i PL është shprehur se nuk ka asnjë provë apo fakt penal që ka të bëjë me të gjatë 32 viteve të shërbimit publik. Sipas Metës nuk ekziston asnjë shkresë apo akt zyrtar nga ai që ka dëmtuar një qindarkë buxhetin e shtetit apo që ka shkelur ligjin. Meta ngre akuza se urdhëri për ndalimin e tij është i komanduar nga Rama.
Pyetje: Pas marjes në pyetje disa here kur ishit në Liri, jeni marrë në pyetje edhe njëherë nga prokurorët e Spak pas arrestimit. A ka detaje të reja për dosjen dhe akuzat që Spak ka ngritur mbi ju?
Meta: Nuk ka asnjë provë apo fakt penal që ka të bëjë me Ilir Metën gjatë 32 viteve të shërbimit publik. Nuk ekziston asnjë shkresë apo akt zyrtar nga Ilir Meta që ka dëmtuar një qindarkë buxhetin e shtetit apo që ka shkelur ligjin.
Ndërkohë që janë të shumta shkeljet e ligjit dhe favorizimet e paligjshme që uzurpatori i gjithë pushteteve ka kryer me firmën e tij, të cilat SPAK ka tmerr ti shikojë e jo më t’i hetojë.
Mjafton firma e tij për t’i dhënë bonusin kompanisë që ende nuk ishte krijuar, për të qenë i pandehur e jashtë zyrës së Kryeministrit.
Përveç 17 vendimeve të Qeverisë të miratuara brenda ditës për inceneratorët ndërkohë që ishte paralajmëruar me shkresë zyrtare nga Drejtori i tij i Prokurimeve se procedura ishte e paligjshme. Dhe dhjetra raste të tjera.
Dëshmia e fundit e ish – Zv. Kryeministrit Ahmetaj se ishte ky Kryetari i Organizatës ( Rama) që në 2017 e detyroi Kryebashkiakun Veliaj të uzurponte kompetencën ligjore të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe me firmën e tij t’i hapte rrugën inceneratorit që nuk ekziston, është dëshmia më e fortë publike se përse SPAK-u dhe Dumani u bënë 5 vite që nga krijimi i SPAK-ut që nuk e shohin këtë shkresë të paligjshme dhe me pasoja shumë të rënda financiare.
Sepse ajo është “de jure” firma e Veliajt por “de fakto” firma e Ramës, ndaj SPAK- u mbyll sytë para “krokodilit” dhe gjurmon me regji “Harabelin” se te ky i fundit nuk cënohet padroni i Dumanit, Edi Rama. Mos harroni edhe porosinë që i kishte dhënë Rama Veliajt, që bëje këtë pa e marrë vesh LSI.
Sepse LSI kishte 12 Këshilltarë në Bashkinë e Tiranës dhe Kryetarin e Këshillit ndaj edhe u shmang paligjshmërisht Këshilli. Në thirrjen e fundit nga SPAK jam ripyetur për çështjen e lobimeve të cilën e kam shteruar publikisht me kohë se unë as kam firmosur për pagesa dhe as kam autorizuar njeri të bëjë veprime të paligjshme.
Po kështu çdo vendim është marrë në Kryesinë e LSI për lobimet për atë kohë që unë kam qenë Kryetar i saj. Po kështu, siç e dini ju, askush nuk është dënuar në SHBA për veprime të paligjshme për llogari apo interes të Ilir Metës. Ndërsa për Edi Ramën janë dënuar të paktën dy persona.
I pari Bilali që e mori Edi Ramën si gruan e tij për t’i bërë foto të paligjshme me Presidentin Obama dhe i dyti i ditur nga e gjithë bota, ish – drejtori i FBI, Charles McGonigal, i cili po vuan dënimin pasi pranoi fajin dhe bëri marrëveshjen. Por ndërsa i korruptuari po vuan dënimin atje, korruptuesi i tij këtej vazhdon të lavdërojë krijesën e tij SPAK–un që e ka mbyllur në kasafortë këtë dosje ku ka edhe plot McGonigalë të tjerë. /A2 CNN