Kosova
Kurti nis negociatat për institucionet, Abdixhiku pranon takimin, PDK dhe AAK refuzojnë
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka nisur përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për krijimin e institucioneve të reja, duke ftuar liderët e partive parlamentare në takime të veçanta.
Ftesës së Kurtit i është përgjigjur pozitivisht kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilin pritet të zhvillohet një takim të martën në orën 18:00.
Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, kanë refuzuar ftesën për takim.
Përpjekja e Kurtit vjen në një moment kur institucionet e reja të Kosovës ende nuk janë funksionalizuar dhe kur data 6 gusht është caktuar për seancën inauguruese të legjislaturës së re.
Gjatë ditëve të fundit, nga kampi i Vetëvendosjes është sinjalizuar mundësia e një marrëveshjeje politike, veçanërisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se ftesat për partitë politike do të dërgoheshin së shpejti, ndërsa Kurti ka lënë të kuptohet se kjo javë mund të sjellë zhvillime konkrete.
Takimi Kurti-Abdixhiku pritet të jetë një nga momentet kyçe për të kuptuar nëse palët mund të afrojnë qëndrimet për formimin e institucioneve të reja në Kosovë.