Connect with us

Politike

“Të rinjtë do refuzojnë bufin e stërplakur”/ Rama mesazh nga Kuvendi Rinor i PS-së

Kryesocialisti Edi Rama, i pranishëm në Kuvendin Rinor të PS-së, foli për zhvillimin që ka pësuar vendi në fushën teknologjike.

Sipas tij, vizioni i ri teknologjisë po hapet me shpejtësi në Shqipëri, ndërsa nuk kurseu ironitë për opozitën.

“Rrjeti i punonjësve që punojnë nga shtëpia, sot është një embrion i çelur që do të zhvillohet në vitet e ardhshme, këta nxënës që marrin mësime me teknologji me metodat më të avancuara, do t’i drejtohen nesër tregut të punës.

Nga sot, 100 ditë, do t’i bëjnë të rinjtë dhe të rejat ta refuzojnë kënetën dhe bufin e stërplakur, dhe të gjitha bretkosat politike dhe mediatike. Ato do i bashkohen trenit të PS në 11 maj, nga Tirana, lokomotiva jonë, që sa më shumë tentojnë ta ndalojnë duke i hedhur baltë, aq më shumë do të jenë të shkelur me votë”.

Ai u ndal te ekonomia dhe mundësitë, që sikurse tha, të rinjtë kanë gjithnjë e më shumë.

“Nga Shkodra në Vlorë, sepse Shqipëria po bëhet, nga Tropoja në Konispol, ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi. Sot, ata që duan të investojnë në tokën e gjyshërve për të ndërtuar bujtinë apo agroturizmëm janë shumëfishuar. Ata do të përfitojnë dhe nga Paketa e Maleve dhe nga linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë. Dua që sa më shumë të rinj nga fshati, që i kanë kthyer kurrizin shtëpisë së gjyshit dhe enden në qytet, duke u ankuar se s’ka punë, apo të rinj në emigracion që rropaten me nga dy punë për të marrë paga që nuk u dalin për asgjë, duke fjetur 4-5 veta në një dhomë, të bëjnë atë që po bëjnë është reale.

Ata në majë të malit, ka disa që nxjerrin të ardhura që ia çojnë familjeve që kanë në emigracion. E përsëris, iu çojnë edhe atyre ndihmë nga Thethi, sepse në çdo pikë të Shqipërisë, në çdo majë të Shqipërisë, në çdo luginë të Shqipërisë, aty ku ka një tokë nga gjyshi dhe ka një ngrehinë mikpritjeje, nuk je më ti që rropatesh për çfarë do prodhosh, por do vijnë atje që ta shijojnë atë që ti prodhon.

Nga sot në 100 ditë, votuesit e parë që shohin me sytë e tyre, që mendojnë me kokën e tyre, nuk do kenë asnjë dyshim se ku do e çojnë votën edhe për një arsye tjetër, sepse në këto vite, shumë prej tyre morën kënaqësinë e sportit në shkollë. Sot kemi me qindra palestra moderne. Zyshë fizkulture kishim Suden dhe profesor fiskulture kishim Rrapushin. Sot kemi edukim fizik.

Duam, që ndërkohë në të katërt anët ka plasur zullumi i rrjeteve sociale dhe i marrëzive që promovohen në ato rrjete, fëmijët tanë të kenë orët e tyre të shkëputura, ku aktivizohen dhe të kenë aktivitet sportiv. Është i gjatë vargu i arsyeve, sepse sot edhe 100 ditë, ne do të marrim një rezultat që ata të tjerët që kujtojnë se janë përballë, por në fakt janë nga mbrapa dhe lehin, nuk e imagjinojnë.

Faleminderit dhe përgëzime atyre që ishin këtu përpara meje. Kush foli dhe nuk u kënaq që s’doli, të stërvitet. Të përpiqet akoma dhe më shumë që të tjerët ta duartrokasin nesër.

Në 100 ditët e ardhshme, ne do të ngremë në këmbë një shumicë të madhe si asnjëherë më parë. Për t’i thënë një “po” shurdhuese Shqipërisë në Europë, për t’i thënë një “jo” sa shuplaka e një populli, për t’i thënë “jo” Shqipërisë prapë në gropë. Problemi ynë nuk do të jenë kundërshtarët, por më shumë se në herët e shkuara, do të jetë llumi i kënetës së tyre, që këtë herë do lëshojë dhe më shumë kundërbim”.

Advertisement