Connect with us

Kronike

‘Më ngacmoi të dashurën’/ Vrau mikun e fëmijërisë, zbardhet dëshmia e autorit

Detaje të reja janë bërë publike nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Kristjan Sterjo, i dyshuar për ngjarjen dhe i kapur rreth gjashtë orë pas krimit, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me rrethanat dhe motivin e konfliktit.

Sipas të dhënave të raportuara nga hetimi, Sterjo ka deklaruar se mes tij dhe viktimës kishte pasur konflikte të mëparshme. Një prej episodeve që po verifikohet lidhet me pretendimin se viktima kishte ngacmuar të dashurën e të dyshuarit.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilat dyshohet se kishin nisur pas debateve dhe konflikteve të përsëritura në lagje. Sipas dëshmisë dhe të dhënave paraprake të hetimit, mes tyre kishte pasur debate verbale edhe disa ditë para ngjarjes.

Sipas versionit të dhënë nga Sterjo, ditën e krimit ai ka marrë armën dhe është vënë në ndjekje të 21-vjeçarit. Më pas, sipas dëshmisë së tij, e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë fatale.

Pas ngjarjes, i dyshuari është larguar nga vendi dhe ka qëndruar i fshehur për disa orë në një zonë pranë varrezave të qytetit. Më pas, sipas të dhënave të hetimit, ai është afruar drejt banesës së tij, ku është lokalizuar dhe arrestuar nga policia rreth gjashtë orë pas krimit.

Grupi hetimor vijon punën për të dokumentuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar motivet e deklaruara nga i dyshuari, përmes dëshmive dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimit.

Kristjan Sterjo prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Advertisement