Connect with us

Politike

Tirana reagon pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd: Nuk ka paralelizëm mes Kosovës dhe Ukrainës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Beograd, ku ai konfirmoi se Ukraina nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në reagimin e saj, MEPJ thekson se Shqipëria mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa njëkohësisht qëndron në mbështetje të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Ministria kundërshton krahasimin mes statusit të Kosovës dhe luftës në Ukrainë, duke argumentuar se të dyja çështjet kanë rrethana të ndryshme historike, politike dhe juridike.

Sipas MEPJ-së, opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa, për luftën në Ukrainë, Tirana e konsideron agresionin rus si shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Në deklaratë, Shqipëria shprehet gjithashtu se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor lidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe integrimin e vendeve të rajonit në strukturat evropiane.

MEPJ vlerëson se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të vijojë dhe se normalizimi i marrëdhënieve, përfshirë perspektivën e njohjes së ndërsjellë, do të kontribuonte në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Sa i përket vizitës së Zelenskyt në Serbi, ministria shqiptare e konsideron dialogun një zhvillim të rëndësishëm, ndërsa thekson se afrimi i Serbisë me Evropën dhe distancimi i saj nga ndikimet e jashtme që cenojnë stabilitetin rajonal do të ishin zhvillime pozitive.

Advertisement