Connect with us

Kronike

Vrasja e 20 vjeçarit/ Policia njoftim zyrtar: Arrestohet autori i dyshuar

Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Kristjan Sterjo, i dyshuar për ngjarjen dhe i kapur rreth gjashtë orë pas krimit, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Sterjo ka deklaruar se mes tij dhe Zukos kishte pasur konflikte të mëparshme. Një prej episodeve që po verifikohet lidhet me pretendimin e të dyshuarit se viktima kishte ngacmuar të dashurën e tij.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve. Sipas dëshmisë së dhënë dhe të dhënave të mbledhura deri tani, ata kishin pasur debate verbale disa ditë para ngjarjes, ndërsa marrëdhënia mes tyre ishte shoqëruar me konflikte të përsëritura.

Sipas versionit të paraqitur nga Sterjo, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe është vënë në ndjekje të Zukos, të cilin më pas e ka qëlluar me armë zjarri. Kjo dëshmi po verifikohet nga grupi hetimor në raport me provat dhe dëshmitë e tjera të administruara në dosje.

Pas ngjarjes, Sterjo është larguar nga vendi dhe, sipas të dhënave të hetimit, ka qëndruar i fshehur për disa orë në një zonë pranë varrezave të qytetit. Më pas është afruar drejt banesës së tij, ku është lokalizuar dhe kapur nga policia rreth gjashtë orë pas krimit.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivin e saj, ndërsa deklarimet e të dyshuarit do të ballafaqohen me provat dhe dëshmitë e mbledhura nga autoritetet.

Kristjan Sterjo prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Advertisement