Kosova
Tragjedi në Kosovë/ Banesa e shembur zë poshtë tre fëmijë, humbin jetën
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë së Gjakovës.
Lajmin e ka konfirmuar Sheremet Elzaj nga Policia e Gjakovës, ku ka bërë me dije se banesa e shembur ka zënë poshtë tre fëmijë, të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Viktimat raportohet se janë dy 15-vjeçarë dhe një 14-vjeçar.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Elezaj.