Connect with us

Sport

Mbappe tre gola, Real nxjerr jashtë Cityn, Juventusi turpërohet në Europë, kalojnë PSG e Dortmund

Champions League zhvilloi mbrëmjen e 19 shkurtit katër ndeshjet e kthimit play-off, nga ku u mësuan edhe skuadrat e tjera që siguruan biletat e mbetura për në fazën e 1/8. Real Madrid, PSG, PSV dhe Dortmund kalojnë më tej. Manchester City dhe Juventus mbeten jashtë eventit.

Në ‘Bernabeu’ Real Madridi mposhti 3-1 Man. Cityn me tripletën e Mbappe. Darka evropiane tregoi se francezi është për sfida të tilla vendimtare duke shkëlqyer në minutat 4, 33 dhe 61, teksa Nico në fundin e ndeshjes shënoi për Cityn. Pas krizës në kampionat tanimë City e sheh veten edhe jashtë Champions League.

Në ‘Philips Stadium’ të Eindhovenit vendasit e PSV fituan 3-1 pas 120 minutave lojë kundër Juventusit dhe duke përmbysur ‘Zonjën e Vjetër’ kalojnë më tej në 1/8. Turpërim Italian në Europë pasi më herët ishin eliminuar edhe Milan e Atalanta. Paçka se Juve fitoi 2-1 ndeshjen e parë, ndeshja e kthimit ishte me dy fytyra, ku italianët dominuan në pjesën e parë, por pa shënuar.

Perisic zhbllokoi shifrat për PSV në minutën e 53, para se Weah të barazonte dhjetë minuta më vonë. Ishte Saibari që me golin e tij e dërgoi ndeshjen në shtesë. Juventusi u duk pa ide dhe muskuj, teksa pësoi edhe golin e tretë me Flamingo në minutën e 98-të duke i dhënë lamtumirën kompeticionit. Vetëm Interi mban lart flamurin Italian në Evropë.

Në ‘Parkun e Princave’ PSG nuk u kursye dhe mposhti 7-0 Brestin në përballjen franceze. Barcola, Kvaratskhelia, Vitinha, Doue, Mendes, Ramos dhe Mayulu ishin autorët e golave.

Në Gjermani Dortmundi u mjaftua me barazimin 0-0 kundër Sporting Lisbone dhe pas fitores 0-3 në ndeshjen e parë kalon më tej.

Skuadrat e kualifikuara në 1/8 e Champions League nga faza play-off: Club Brugge, Feyenoord, Bayern Munich, Benfica, Dortmund, PSG, Real Madrid, PSV.

Kujtojmë se shorti për fazën e 1/8 do hidhet këtë të premte në orën 12:00 në Zvicër.

Champions League, faza play-off:

E martë, 18 shkurt 2025 – ndeshjet e kthimit

18:45 Milan 1-1 Feyenoord (0-1)

21:00

Atalanta 1-3 Club Brugge (1-2)

Bayern Munich 1-1 Celtic (2-1)

Benfica 3-3 Monaco (1-0)

E mërkurë, 19 shkurt 2025 – ndeshjet e kthimit

18:45 Dortmund 0–0 Sporting Lisbone (3-0)

21:00

PSG 7–0 Brest (3-0)

PSV 3–1 Juventus (1-2) – Pas 120 minutave kualifikohet PSV

Real Madrid 3–1 Manchester City (3-2)

*Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para

 

Advertisement