Politike
Veliaj nga qelia: Ols Dado i dorëzoi kokën time Berishës

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj sulmoi nga paraburgimi i Durrësit kreun e Partisë Demokratike Sali Berishën duke aluduar se prokurori Olsi Dado “i dorëzoi kokën e tij” kryedemokratit. Në një intervistë për Top Story, Veliaj tha se Olsi Dado vendosi të kalojë nga kostumet e tij, te fustanet e bashkëshortes së kryebashkiakut. Ai shtoi se nuk duhet të bëhemi naivë kur vjen puna te Berisha dhe Dado sipas tij.
“Si e shpjegon, Grida, që Saliu, pasi poqi 26 vetë në Gërdec, vrau me plumba në mish 4 njerëz me duar në xhepa e që s’ka kërkuar falje për krime monstruoze, i kërkon falje dhe fshiu postimin për Ols Dadon dy ditë përpara se Olsi t’i dorëzonte kokën time?
Mos u bëni naivë e të mos i fyejmë inteligjencën njëri-tjetrit. Kishte 500 ditë me Nesti Angonin, zgjodhi fillimin e fushatës! Pra, pas akuzave dhe më pas ndjesës së Saliut, Olsi vendosi të kalojë nga kostumet e tij, te fustanet e bashkëshortes sime! Please Sherlock”, tha Veliaj.
Akuzat e SPAK/ Veliaj i qëndron sulmeve ndaj prokurorit Dado: Nga zelli i madh ka shkelur ligjin! Çështja konflikt i pastër interesi
TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbajtur të njëjtin qëndrin ndaj prokurorit të çështjes së tij Olsi Dado, ku vijon të këmbëngulë se ky i fundit ka shkelur ligjin.
Në një intervistë nga burgu për emisionin Top Story, Veliaj thotë se çështja ndaj tij është në konflikt të pastër interesi për shkak të lejes së ndërtimit. I pyetur se përse zgjodhi të përballet me Dadon në sallën e gjyqit për konfliktin e interesit, kryebashkiaku thotë se ishte pikërisht dita e gjyqit sipas tij dita e fillimit të hetimeve absurde.
Veliaj shton se prokurori Dado sipas tij ka shkelur çdo normëligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin e tij në të njëjtën ditë. Veliaj gjithashtu i qëndron deklaratave të tij të bëra edhe më herët se Prokurori Dado e ka ofenduar dhe ka përdorur fjalor jo të përshtatshme gjatë seancës gjyqësore.
Pyetje: Nëse prokurori Olsi Dado ishte në konflikt interesi për të të hetuar ty, pse zgjodhe derisa të përballeshit në sallën e gjyqit për t’ia thënë këtë konflikt? Mendove se do ta intimidoje në sallën e gjyqit? Ia plotësove kërkesën dhe mendove se kjo do të lehtësonte? Pse reagove vetëm në sallën e gjyqit?
Veliaj: Dita e gjyqit ishte edhe dita e fillimit të hetimeve, absurde apo jo? Pra, gjer në atë ditë, prokurori shpenzoi një vit e gjysmë duke bërë “ca verifikime”; pra, një hile për të bërë hetim për Nesti Angonin – që nuk ekziston – pa e regjistruar kurrë emrin në regjistër.
Po të shikosh të ashtuquajturin kallëzim, që të ftoj ta gjesh e ta publikosh, do çuditet i madh e i vogël se në bazë të kësaj letre bakalli, kryetarit të Bashkisë më të madhe në vend i ka kaluar e gjithë jeta e tij, nga rinia e deri më sot, jo në një skaner, por në një MRI.
Po kështu, nga zelli i madh, prokurori ka shkelur ligjin, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo normë tjetër ligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë. Imagjino zellin e madh, kur ashtu siç njoftonin me sms e telefonata familjen time ditë të shtunë, po kështu vendosën burgosjen time në ditë të dielë.
Pas shumë peripecive, brenda Prokurorisë së Posaçme, ku gjenden plot zonja e zotërinj me integritet dhe profesionalizëm, më në fund arritën të gjejnë një prokuror për të kryer ekzekutimin tim politik.
Pas 3 ditëve në izolim total, mundësia e parë për t’u përballur me prokurorin-ndërtues si person nën hetim qe dita e gjyqit. Leja e tij e ndërtimit është fakt dhe debatet për lejen i pranoi edhe vetë. Eshtë konflikt i pastër interesi dhe ia thashë me rastin më të parë që m’u dha, në mes të klithmave histerike “ndyrësirë… gënjeshtar patologjik… do të ta tregoj unë ty… do ta bëj edhe këtë surprizë” etj. etj.
“Nuk po godas drejtësinë!” Veliaj vijon sulmin ndaj prokurorit Dado: Nuk ka pyll pa derra, na shitet si ajkë dikush me 5-a me konflikt të pastër interesi
TIRANA- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj deklaroi sot se nuk po sulmon drejtësinë me reagimet e tij. Veliaj tha në një intervistë për Top Story se në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Ai shtoi se nuk ka pyll pa derra dhe duke nënkuptuar prokurorin Olsi Dado ai tha se “nëse na shitet si ajkë dikush me 5-a, që e çan karrierën nga shtrati e jo nga shteti, me konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të kritereve, patjetër që do të flas.”
Pjesë nga intervista:
Pyetja: Çfarë beteje është të godasësh drejtësinë, kur ju vetë, kur keni dalë nga SPAK, keni folur me konsiderata të larta për standardet e reja të drejtësisë dhe i keni konsideruar kolegë Prokurorët e SPAK? Nga njëra anë, ju dhe gjithë Partia Socialiste jeni investuar ta tregoni Reformën në Drejtësi si produkt të PS, pse i ul kredencialet e tua duke goditur drejtësinë?
Veliaj: Unë nuk po godas drejtësinë! Në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Dhe po, kolegë janë, punojmë të gjithë për Republikën, për Shtetin, për vendin. Koleg është edhe pastruesi e polici, edhe kryeministri dhe Presidenti – se punojmë të gjithë për një mision, Shqipërinë në Europë e Tiranën si pjesën më Europiane të saj.
Por, nuk ka pyll pa derra dhe nëse na shitet si ajkë dikush me 5-a, që e çan karrierën nga shtrati e jo nga shteti, me konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të kritereve, patjetër që do të flas.
“Ai është i lirë unë jam në burg”/ Veliaj krahason rastin e tij me Berishën: Nuk kishin guxim ta shoqëronin…
TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka krahasuar këtë të enjte rastin e tij me arrestin në shtëpi të kreut të PD-së, Sali Berisha. Veliaj thotë se atij nuk i lejohet të takojë asnjë në qelinë e burgut të Durrësit, ndërkohë që Berisha sipas tij kur ishte në arrest shtëpie takohej me përfaqësues e mbështetës të tij, duke shkelur kështu urdhërin e SPAK dhe të Gjykatës.
Në një intervistë për emisionin Top Story, Veliaj ka vijuar sulmet ndaj Berishës teksa shprehet se sa herë që kryedemokrati duhet të paraqitej në gjykatë, prokurorët nuk kishin guximin ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por kreu i PD-së, lëvizte me makinën e tij private serbes-serbes.
Veliaj: Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Keshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet.
Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gerdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës. Po kështu, nuk patën guximin, kur ishte në arrest shtëpie
të paraqitej në gjykatë, ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por lëvizte me makinën e tij private, serbes-serbes.
I jap gjithë mbështetjen Drejtësisë, por nëse e duam vërtet, duhet t’ia themi kur ka një masë tumorale në formën-gjuhën-dëftesën-hilen e Ols Dados, që trupi i shëndoshë të mos gangrenizohet nga kati shtesë i kollovarit pa letra në pisllëkun që e emëroi në 2008.
Shpenzimet marramendëse të Ajola Xoxës, Veliaj: Gruaja ime vjen nga një familje e nderuar! Blerjet janë të gjitha të deklaruara!
TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj ka folur këtë të enjte mbi burgosjen e tij dhe akuzat e ngritura nga SPAK.
Në një intervistë për emisionin Top Story Veliaj është pyetur nëse kishte dijeni mbi shpenzimet marramendëse të bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, shifra të cilat përmendeshin në dosjen e SPAK.
Lidhur me këtë Veliaj ka thënë se gruaja e tij vjen nga një familje e pasur dhe e nderuar dhe se të gjitha shpenzimet e bëra nga ajo janë të deklaruara.
Veliaj thotë se Xoxa ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekade.
Veliaj: Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karriere në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekade. Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, muzikale, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite ti trajtosh si personale në një dite, është ligësi e misogjeni. Janë të githa të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e tvsh në rreth dy dekada.
“Qepen pas gruas, lodrave të djalit e makinës së vjehrrit të vdekur!” Veliaj: Më arrestuan për të më hequr nga fushata, por sërish do i mund
TIRANA- Kreybashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha sot se janë “qepur” pas tij dhe familjes së tij teksa foli për arrestimin. Në një intervistë për Top Story Veliaj tha se qëllimi i hetimit dhe arrestimit ndaj tij është ta largojnë nga fushata zgjedhore. Ai shtoi se sapo të dalë nga aty ku mbahet i izoluar sërish do t’i mundte kundërshtarët e tij politikë.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: A ke pasur apo jo dijeni për shpenzimet e bashkëshortes tënde Ajola Xoxa? A e ke ditur që janë shpenzime personale apo të bizneseve të saj? A ke pasur dijeni për shifrat e këtyre shpenzimeve?
Veliaj: Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20 vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopësht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin!
“Nuk e di a mund të ketë një vlerësim më të madh!” Rama mblodhi stafin e Bashkisë së Tiranës në shesh Veliaj: U emocionova pa masë!
TIRANA- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u shpreh i emocionuar për mbledhjen e stafit të tij nga ana e kryeministrit Edi Rama në mes të sheshit “Skënderbej”. Veliaj tha për Top Story se ky ishte një vlerësim pasi Kryeministri i vendit të kujdeset për vijimin e punëve të pasionit e dashurisë së madhe të jetës së tij, Tiranës. Ai shtoi se nga mesjeta siç e konsideron, e kanë bërë Tiranën Kryeqytet Europian të Rinisë në 2022, të Sportit në 2023, të Kulturës etj.
Pjesë nga intervista:
Pyetja: Si u ndjeve kur Edi Rama mblodhi gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës në shesh, një organizim që ti vetë nuk do ta kishe bërë kurrë?
Veliaj: U emocionova pa masë! Kemi një bilanc të qartë. 7 fitore rresht në Bashkinë e Tiranës dhe nga mesjeta e kemi bërë Kryeqytet Europian të Rinisë në 2022, të Sportit në 2023, të Kulturës sot, Giro d’Italia e komuniteti politik Europian nesër.
Unë nuk e di a mund të ketë një vlerësim më të madh se sa ai që Kryeministri i vendit të kujdeset për vijimin e punëve të pasionit e dashurisë së madhe të jetës sime – Tiranës.
“Po zhduken prova dhe dokumente”/ Veliaj i shmanget pyetjes për akuzat e PD-së: Këneta me bufin vazhdojnë zvarritjen në lluc…
TIRANË – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është pyetur këtë të enjte në lidhje me tymin e zi që u pa të dilte disa ditë më parë nga godina e Bashkisë.
Në një intervistë për emisionin Top Story, Veliaj ka anashkaluar pyetjen lidhur me akuzat e ngritura nga PD, se po zhduken dhe po digjen provat nga Bashkia, teksa ka shpërthyer në ofendime dhe sulme ndaj këtyre të fundit.
Pyetje: Ka akuza nga opozita që arkiva me dokumenta e Bashkisë së Tiranës po asgjësohen dhe po zhvendosen me kamionë? Si është e mundur lëvizja e dokumentave në atë mënyrë dhe a keni dijeni çfarë ka qenë zjarri në tarracën e Bashkisë?
Erion Veliaj: Ju falenderoj për humorin se edhe unë kam nevojë të buzëqesh pas 17 ditëve në izolim. Si të ta them thjesht? Prej disa vitesh parkohet në lulishten para bashkisë një hermafrodit nga PD-ja, një si biçim gjys-burrë/gjys-grua, një si tip Ols Dado, por me flokë, njëfarë Kalaje e rrënuar nga hordhitë imagjinare, që kamionin i cili shkon çdo javë në Arkivën Qendrore e sheh si kuti votimi që varros PD-në ende pa nisur fushata, dhe që tymin e kaldajës së sapondezur e merr si tymi i Vatikanit, që i thotë “Habemus Papam” – dhe Edi Rama e PS-ja fituan mandatin e 4-t, ndërsa këneta me bufin do vazhdojnë edhe 4 vite zgërlaqje e zvarritje në llucë.
Ndjesë që s’të jap dot përgjigje serioze për Ols Kalanë – janë njësoj, dy personazhe tragji-komike, që kanë më shumë hall t’i pëlqejnë Saliut, se t’i ruajnë cipën fytyrës së tyre.

