Shkrime
Procesi i ‘ferrit’ kundër opozitës, si narkozë ndaj fundit të demokracisë

Nga Armand Shkullaku
Marshimi i Edi Ramës nga “fitorja në fitorje”, po shoqërohet, siç ka ndodhur rëndom, me fenomenin e shpifur të dënimit të humbësit dhe shmangien e gjykimit për fituesin. Kjo po vihet re edhe këto ditë me fitoren e paprecedentë të Rilindjes, që në një shoqëri normale do të ngrinte qindra pikëpyetje për mënyrën se si erdhi dhe për rreziqet që mund të sjellë në të ardhmen. Ta përmbledhësh këtë ngjarje brenda lëvozhgës së klishesë: Rama fitoi se opozita nuk ngjalli besim, është në rastin më të mirë dembelizëm intelektual dhe në atë më të keq, rreshtim- shërbim ndaj pushtetit.
Çështja ekzistenciale për demokracinë shqiptare shtrohet mbi faktin se si një pushtet “që vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë dhe vjedh Shqipërinë për të vjedhur vota” nuk fiton thjesht zgjedhjet por asfikson çdo hapësirë lirie, pavarësie, konkurrence të ndershme, rrënon institucionet, asgjeson drejtësinë dhe për rrjedhojë rrezikon të ardhmen e të gjithëve, përfshi edhe të vetvetes.
Rëndom ka ndodhur që ata që janë afër pushtetit të entusiazmohen nga fitore të tilla, duke harruar që shpesh janë shndërruar në viktima të entusiazmit të tyre. Kjo harresë e kërkuar bën që sot të mos flitet se për herë të parë në histori, opozita hyri në zgjedhje me liderin kryesor në proces penal, pasi u mbajt i izoluar për një vit rresht; me kreun e partisë së dytë opozitare në burg; dhe me disa eksponentë të tjerë në qeli e ndjekje penale. Po kështu këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare, ku qeveria futet në garë pa patur kundërshtare asnjë prej mediave kryesore të vendit. Për të mos folur për kapjen e drejtësisë, monopolin mbi bandat dhe paratë e bizneseve të mëdha.
Duke parë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, kupton edhe pse Ilir Meta u morr zvarrë dhe u godit nga policë me maska apo pse Fredi Beleri u plas në burg dhe u morr peng bashkia e Himarës. Akte të tilla, veç frikës rrënojnë dhe autoritetin apo besimin që mund të ngjallin figura të caktuara politike. Ato zhvlerësohen përballë dhunës së pushtetit dhe votat e mbetura “pa zot” shkojnë tek më i forti. Shkrirja elektorale e LSI në këto zgjedhje, është efekti që u projektua me heqjen zvarrë të Ilir Metës në sytë e publikut.
Po ashtu, nën dritën e 82 mandateve të Edi Ramës, kuptohet se pse u bënë “kurban” që nga ish numri dy i qeverisë Ahmetaj e deri tek numri dy i partisë Veliaj. Sa më i gjatë dhe më i rëndë pushteti, aq më shumë peshojnë dhe kurbanet e tij. Aq më shumë rritet edhe “pavarësia” e SPAK-ut, për të çertifikuar më pas virgjinërinë e zgjedhjeve të prishura të Edi Ramës. Pushteti i një njeriu, që sot entusiazmon sejmenët e tij, i ka dhënë vendit iluzionin e tmerrshëm të një drejtësie të re, që nuk guxoi kurrë të prekë dy shtyllat e së keqes: vendimarrjen ekzekutive që prodhon korrupsion dhe vjedhjen e zgjedhjeve. Pasojë direkt e së cilës është cikli i vjedhjes së Shqipërisë për vota dhe anasjelltas.
Nëse një fitore tjetër si kjo e Edi Ramës, çon pashmangshmërisht në asgjesimin pëfundimtar të drejtësisë, të lirive të pakta që kanë mbetur, të demokracisë përfaqësuese dhe të çdo pushteti tjetër që do duhej të ishte i pavarur, shqetësimi i asaj pjese të shoqërisë që ka ende zë në kapitull, do duhej të ishte procesi ndaj fituesit dhe jo sulmi ndaj humbësit si mbulesë për njollën e flirtimit me pushtetin. Pushteti i gjatë dhe absolut, zakonisht ushqehet me kokat e veta, ndaj dhe ata që sot ndihen afër tij do të duhej të shqetësohen për pasojat e mandatit të katërt dhe jo aq për përgjegjësitë e opozitës. Me 82 mandate, plus disa të tjera rrugës, Edi Ramës të gjithë mund t’i duken si zara që i gjuan kur dhe si t’i teket. ©lapsi.al

