Pinknews
Shqipëria renditet e 8-ta në Eurovision Song Contest 2025! Franca i vetmi vend që i dha 12 pikë

Shqipëria u rendit në vendin e 8-të në Eurovision Song Contest 2025 përfaqësuar nga Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm” teksa kompeticioni u mbajt në Basel të Zvicrës.
Performanca u karakterizua nga energji dhe një vizualitet që solli në skenë simbole kombëtare në një formë bashkëkohore. “Zjerm” u dallua për stilin e tij të veçantë dhe përpjekjen për të përfaqësuar një identitet muzikor modern që nuk harron rrënjët.
Përmes një skenografie të kuruar, kënga përcolli një mesazh për bashkëjetesë kulturore duke lënë gjurmë me origjinalitetin e saj. Kënga përfaqësuese e vendit tonë mori në total 218 pikë. Juritë profesioniste të vendeve që merrnin pjesë e vlerësuan Shqipërinë me 45 pikë në total teksa Franca ishte i vetmi vend që vlerësoi këngën “Zjerm” me 12 pikë, maksimalet.
Mali i Zi ishte gjithashtu një tjetër vend që vlerësoi Shqipërinë me pikë të larta duke dhënë në total 10 të tilla. Italia nga ana tjetë e vlerësoi performancën e Shqipërisë me vetëm 3 pikë. Ndryshimi i rezultatit erdhi nga votat e publikut nga ku Shqipëria mori 173 pikë.

