Sport
Masat e sigurisë për ndeshjen Shqipëri- Serbi, policia njofton kufizimet e reja të rrugëve rreth hotelit të ekipit serb

Policia ka dalë me një njoftim të ri në lidhje me planin e masave të ndërmarra në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që do të mbahet nesër në stadiumin “Arena Kombëtare”. Mësohet se nga sot pasdite përkatësisht në orën 16:30 dhe nesër në orën 18:45 do të ketë kufizime deri në 25 minuta në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare” dhe përmes bulevardit “Bajram Curri”.
Ky perimetër do të ketë kufizime pasi ekipi serb do të akomodohet në një hotel në këtë zonë. Policia thekson se çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.
Njoftimi:
Në vijim të njoftimit të dhënë për planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, ju informojmë se:
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren. Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.

