Kronike
Akuzohet si vrasës me pagesë në atentatin ndaj Gentian Bejtjas/ Kush është Flodian Plaku, i njohur si “Pole Qorri”

Flodian Plaku, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, u arrestua ditën e sotme nga Policia e Vlorës. Arrestimi u kryer në Vlorë nga policia e qytetit bregdetar dhe drejtoria e Krimeve të Rënda. Në momentin e kapjes nga policia në qytetin e Vlorës, Plaku kishte me vete dy armë zjarri (pistoleta).
Kush është Flodian Plaku
Flodian Plaku dyshohet si një nga tre atentatorët e vrasjes së Gentian Bejtjas, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024, në fshatin Larushkë të Krujës. Plaku është pjesë e grupeve të Vlorës. Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë. 42-vjeçari nga Vlora, mban edhe dy mbiemra të tjerë, Flodian Mamo dhe Flodian Serjani, por që njihej edhe me pseudonimin “Pole Qorri”.
Nga hetimet e Policisë ka rezultuar se autorët janë afruar tek banesa e shtetasit Gentjan Bejtja me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes, po me këtë automjet janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë. Pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Po sipas hetimeve, policia tha se është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë.
“Nga analiza e informacioneve të marra nga inteligjenca policore si dhe këqyrja dhe marrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Volksëagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, 30 vjeç, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë. Po kështu, ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, lindur në Milot, Kurbin dhe banues në Tiranë”, njoftoi policia 1 vit më parë.
Vrasja e Gentjan Bejtjas
Gentian Bejtja u ekzekutua me 15 mars në banesën e tij. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Dy të dyshuarit për vrasjen e tij janë Edison Haxhia dhe Ilir Beqaraj.

