Connect with us

Aktualitet

Humbi betejën me sëmundjen e rëndë, kush ishte aktori i njohur, Naun Shundi?

Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur shqiptar, Naun Shundi është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Shundi kaloi një periudhë të vështirë për shkak të problemeve serioze shëndetësore, për kurimin e të cilave u dërgua në një spital në Francë. Por edhe pas kësaj ai nuk e fitoi dot betejën me sëmundjen e rëndë.  Gjendja e tij bëri që ai të ndërpresë aktivitetin artistik, përfshirë angazhimin në teatrin Zonja e Bujtinës, i themeluar prej vetë tij.

Kush ishte Naun Shundi? 

Naun Shundi lindi në Tiranë në vitin 1959. Shundi u diplomua nga Shkolla e Lartë e Kulturës në drejtimin skenik në vitin 1977. Ai mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Fakulteti i Artit Skenik, në Tiranë, si aktor në vitin 1983. Në 1995 ai u specializua në regji në Teatrin Kombëtar të Bukureshtit dhe pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit në Bukuresht

Naun Shundi ka ndjekur një karrierë të shumëfishtë: Aktor, regjisor, skenarist, TV-prodhues, Dramaturg, Mësues skene. Punoi për dekada në Teatrin Kombëtar, aty ku formoi identitetin e tij artistik. Ka interpretuar, shkruar, regjizuar dhe mësuar drejtimin dhe interpretimin në skenë për breza artistësh.

Pas shembjes së Teatrit Kombëtar, ai së bashku me bashkëshorten, krijuan një teatër dhome në oborrin e shtëpisë së tyre në zonën e Ish-Kinostudios në Tiranë, emërtuar “Zonja e Bujtinës”. Kjo hapësirë mikpritëse përshtatet për libra, koncerte, ekspozita dhe natyrisht shfaqje teatrale të ngushta në audiencë. Më vonë, në këtë teatër u vuri në skenë edhe monokomedinë “Babi” – një vepër e shkruar dhe interpretuar nga vetë Shundi; ku me humor dhe dramë trajton temën e familjes dhe vlerësimit të prindërve.

Ka kontribuar në mbarë karrierën e tij për promovimin e teatrove dhe veprave shqipe, duke theksuar rëndësinë e “të folurit shqip” në skenë. Ka qenë zë i fuqishëm kundër komercializimit të teatrit dhe mbrojtës i teatrit si art, jo si biznes.

Vetëm pak ditë më parë, Teatri Zonja e Bujtinës, i themeluar nga Naun Shundi dhe bashkëshortja e tij, Raimonda Shundi, shënoi 3-vjetorin e krijimit. Përmes një videomesazhi për të gjithë artdashësit, regjisori u ndal te rëndësia e teatrit e veçanërisht e krijimeve shqiptare. Vazhdimisht, artisti ka theksuar rëndësinë e ‘të folurit shqip’ në skenat e teatrit në vendin tonë.

Advertisement