Politike
Lufta tani fillon/ Trump heq kufizimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë nga Ukraina
Administrata e presidentit Donald Trump ka hequr kufizimet kryesore mbi përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, që Ukraina ka marrë nga aleatët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Vendimi përfshin përdorimin e raketave “Storm Shadow” dhe armëve të tjera të avancuara ajrore, të cilat tani mund të përdoren kundër objektivave brenda territorit rus – një ndryshim i rëndësishëm në politikën e deritanishme të Washingtonit dhe NATO-s.
Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe Kremlinin, duke i dhënë Ukrainës aftësi më të mëdha goditëse në thellësi të vijës së kundërshtarit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendet anëtare të Aleancës kanë blerë armë amerikane në vlerë prej 2 miliardë dollarësh për t’ia dërguar Ukrainës.
Ky hap sinjalizon një ndryshim të qasjes amerikane ndaj luftës në Ukrainë, duke e zhvendosur barrën financiare te vendet evropiane, ndërsa Washingtoni fokusohet në koordinimin dhe prodhimin e armëve.
Burime diplomatike pranë NATO-s thanë se fondet do të përdoren kryesisht për blerjen e municioneve, raketave mbrojtëse dhe pajisjeve për mbrojtje ajrore, në përpjekje për të forcuar vijën e frontit në lindje të Ukrainës.
Rutte ka shprehur po ashtu mbështetje për thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump që Ukraina dhe Rusia të ndalin luftime në vijën e frontit ku ndodhen aktualisht.
Në përgjigje të një pyetjeje se a duhet të ketë armëpushim para bisedimeve për paqen, Rutte tha:
“Dëgjohet thjesht, por pikërisht kjo është e nevojshme. Pra, unë pajtohem plotësisht me të. Stop ku jeni tani – ky është mesazhi kryesor”.
Ai shtoi se dialogu do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim dhe se NATO do të përdorë të gjitha mjetet e saj për të mbështetur këtë vizion.