Connect with us

Bota

SHBA kërkon nga Hungaria të heqë dorë nga nafta dhe gazi rus

Shtetet e Bashkuara presin që Hungaria të ndërpresë varësinë nga energjia ruse dhe të ndërmarrë hapa konkretë për t’u shkëputur nga furnizimet me naftë dhe gaz të ardhura nga Moska.

Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, deklaroi në një intervistë për “Fox News” se Washingtoni pret që vende si Hungaria, Sllovakia dhe Turqia të hartojnë dhe zbatojnë plane për të reduktuar varësinë nga burimet energjetike ruse.

“Së pari, Hungaria, ndryshe nga shumë fqinjë të saj, nuk ka zhvilluar ende asnjë plan apo marrë masa konkrete. Do të vazhdojmë të punojmë me ta, si dhe me vende të tjera si Kroacia, për t’i ndihmuar të heqin dorë nga energjia ruse”, u shpreh Whitaker.

Deklaratat vijnë në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump ka shpallur sanksione të reja ndaj kompanive ruse “Rosneft” dhe “Lukoil”, me synimin për të detyruar Evropën të braktisë burimet e energjisë nga Rusia.

Nga ana e tij, kryeministri hungarez Viktor Orbán ka bërë të ditur se qeveria e tij po kërkon mënyra për të anashkaluar sanksionet, duke thelluar më tej tensionet mes Budapestit dhe Uashingtonit.

Advertisement