Connect with us

Shkrime

Për pushtetin e Ramës, dje ishte dita e ‘syve të nxirë’ dhe ‘gojës së mbyllur’

Nga Alfred Lela
Erion Veliaj u shfaq i hequr, dhe i veshur si për hjekën apo shëlbimin e fundit, në dyert e një shteti që, prej muajsh të gjatë, e ka trajtuar si kriminel, pa e dënuar si të tillë nëpërmjet një procesi të drejtë gjyqësor.

Ironikisht, kjo ndodhi vetëm pak orë para se motra-armike, Belinda Balluku, të kapërcente derën e një institucioni tjetër, Prokurorisë së Posaçme, për t’u pyetur dhe ngarkuar me akuzë për një/ disa afera, të prezumuara korruptive, të saj.

Fakti që të dy ishin në dyert e këtyre institucioneve, nuk do të thotë se drejtësia është treguar e barabartë me ta.

Mjafton ky fakt, ndër disa të tjerë, për të parë dhe kuptuar se çfarë po ndodh, dhe për të përfunduar se nuk ka nevojë të zgjedhësh mes socialistëve Balluku e Veliaj, të jesh me njërin apo tjetrin. Ama, duhet theksuar për publikun se, dy standarde të ndryshëm, për dy pushtetarë, bëhen të tilla edhe për çdo qytetar, të cilit nesër mund t’i bjerë rruga nga të njëjtat dyer.

Për ta sikterisur fizikisht, politikisht dhe (ç)njerëzisht Erion Veliajn, u ngrit një labirint i tërë parapolitik dhe parashtetëror, që përfshiu segmente të drejtësisë, policisë, spiunë me llagap dhe eksponentë të Partisë Socialiste. Kjo sjellje na ka bërë me dije se sistemi ‘ekzekutiv’ i drejtësisë dhe ai penetenciar i qeverisë, mund të përdoren si instrument torture, gjë që është veti e shteteve autoritare apo paratotalitare.

Nuk ka rëndësi nëse është Sali Berisha, Ilir Meta, Arben Ahmetaj apo Erion Veliaj. Kapërcimi i bon sensit juridik, politik dhe njerëzor, duhet të alarmojë cilindo, që sheh nga ulëset mbi arenë, apo kanapetë e përtaci-gjykimit, nëpër sallonet e shtëpive luksoze apo krejt të thjeshtat- nga vilat në Rolling Hills e deri te stanet në Berishë të Rodogoshit.

Erion Veliaj duket se nuk ka humbur, edhe pse ka vuajtur nga ky trajtim. Teprimi, si të gjitha teprimet, e paska shndërruar nga një poster boy të korrupsionit (le të themi të prezumuar) në një të martirizuar politiko-juridik.

Nuk ka rëndësi a fiton a jo sot dhe nesër Erion Veliaj në betejën ligjore për të patur atë që në anglisht njihet si due process. Të dyja, si fitorja ashtu dhe humbja, do të flasin shumë për llojin e shtetit që kemi ndërtuar, 33 vjet pasi u shemb regjimi, të cilin e pandehëm si të fundit të ciklit të represionit në kurrizin e shqiptarëve.

Erion Veliajn, të paktën nga Teatri Kombëtar e këtej, e konsideroj, jo vetëm të kundërt politik, por edhe të dëmshëm për Tiranën.

Kjo nuk do të thotë se ai duhet linçuar paraprakisht për të realizuar qëllime politike, të cilësdo palë. Aq më pak të mos hetohet (apo dënohet) për Teatrin, inceneratorin apo 5D, por të shkalafitet për fustanet apo koncertet e gruas.

Dje në dyert e Gjykatës Kushtetuese dhe të SPAK, u shfaqen dy njerëz dhe dy palë sy. Një palë kanë parë, për muaj të gjatë, se si bashkëpunëtorët dhe miqtë u bënë më të ligj se kundërshtarët politikë, se si qelia e paraburgimit në Durrës u bë një Guantanamo në miniaturë.

Një sy tjetër, me të nxirën e mbuluar me kujdes, do të luftojë për të kundërtën, për të mos goditur dyer që nuk hapen më.

Kështu shkoi kjo punë. Një pushtet, shteti i të cilit nuk ka sy për të pare me lentet e ligjit, ka instrumente të dhunës, që të bëjnë të mbyllësh sytë ose të kthesh kokën në anën tjetër, para asaj që ndodh.

Ata që shqyejnë sytë, apo i lëngëzojnë në atë që ndodh, duhet të kenë sy për të drejtën, edhe kur në bebëza shfaqet armiku.

Një sistem si ky i sotmi, që synon vetëm të habisë dhe të kënaqë instinktet më primitive njerëzore, është anti-human dhe anti-ligjor.

Advertisement