Aktualitet
Protesta kombëtare e opozitës, Policia: Mes të shoqëruarve ishte edhe një i mitur
Protesta kombëtare e opozitës, e cila u zhvillua ditën e djeshme përfundoj me shoqërimin e 23 personave mes tyre edhe një i mitur, drejt ambienteve të komisariatit. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia e Shtetit ka pranuar faktin se mes të shoqëruarve ishte edhe një i mitur.
Në njoftim thuhet se në lidhje me këtë rast janë njoftuar prindërit dhe deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit. Sipas tyre ai ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij. Gjatë kësaj proteste janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës.
Në reagimin zyrtar, policia thotë se protestuesit nuk u janë bindur thirrjeve të vazhdueshme të policisë, për të ndalur aktet e dhunës. Ndaj, si pasojë e kësaj ata janë detyruar të ndërhynë për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Njoftimi zyrtar i policisë
Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës. Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.
Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, ç’ka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit.
Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.
Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.