Shkrime
Rasti i Ilir Metës, si shembje e propagandës pro Ballukut
Andi Bushati
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka marrë këtë të mërkurë vendim për të çuar dosjen e Ilir Metës në procesin e themelit, duke e bërë tashmë të panevojshme mbajtjen e tij të izoluar.
Por, po të shikohet se çka ndodhur për 17 muaj në qelinë e Ilir Metës i gjithë përgjërimi i Ramës në emër të të drejtave të njeriut dhe sidomos të atyre të paradënuarve ngjan me një shaka bajate.
Sot njeriu që ndihmoi ardhjen e Rilindjes në pushtet është i burgosuri më i persekutuar në Shqipëri. Ndaj tij ushtrohet një dhunë e denjë për diktaturat e një kohe tjetër, duke e privuar deri në elementët bazikë të jetës së përditshme. Madje kjo dhe me çmimin e shkeljes të një sërë të drejtash të garantuara nga kushtetuta e këtij vendi, nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe nga Regullorja Evropiane e Burgjeve. Përpos privimit të së drejtës për të dalë për ajrim, për të folur në telefon, apo për të kryer aktivitet fizik, kreu i partisë të dytë më të madhe në opozitë është ndaluar në mënyrë të paligjshme të kontaktojë me numrin dy të forcës së tij politike, të takohet me deputetë ose eurodeputetë, kur një gjë e tillë i garantohet pa kërkuar leje, të japë intervista apo të komunikojë me publikun, sipas praktikave të konsoliduara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një pjesë të këtyre shkeljeve, në një dokument të hartuar nga Avokati Popullit konsiderohen si “kufizime të pajustifikuara në ligj”.
Pra, për të pasur një ide më të qartë të asaj që ndodh në qelitë e 313-ës, çka po i bëhet Ilir Metës në errësirrë, është krejtësisht e ngjashme me dhunën, egërsinë dhe primitivizmin që të gjithë pamë, në dritën e diellit, gjatë arrestimit të tij. Ato sekuenca, që e bënë mikun e Ramës, ish kryeministrin italian Renzi, të ironizonte respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, po përsëriten me të njëjtën frekuencë në birucat e Jordan Misjes.
Jo më kot Ilir Meta e etiketoi kryeministrin para gjykatës si “gardianin de facto të burgut të tij”. Sepse nëse për hetimin, ndalimin apo tani çuarjen e tij para gjykatës, mund të diskutohet nëse SPAK-u veproi ose jo politikisht, nëse për to mund të ngrihen dyshimet për pavarësinë e drejtësisë sonë të re, sistemi i burgjeve, drejtoria tyre, janë të varura direkt nga qeveria. Punonjësit e tyre janë ushtarë të kryeministrit dhe veprojnë, në “shkelje të ligjit”, sipas urdhrave që marrin nga lart.
Prandaj, nëse vërtet Edi Rama do të ishte sadopak i merakosur për standarte si ato të prezumimit të pafajësisë, apo trajtimit me dinjitet të atyre që ende nuk kanë një vendim fajësie të formës së prerë, ai s’do e kërkonte atë me zhurmë për të mbrojtur hajdutët e tij, por do e zbatonte heshtur për atë çka varet drejtpërdrejt nga ai. Dhe ai ka vendosur: një kundërshtar si Ilir Meta duhet persekutuar me metodat e një kohe tjetër, ndërsa denoncimin e mentalitetit të kësaj kohe e përdor në mënyrë të pafytyrë për të mbrojtur ata që kanë firmosur në vend ti tij, siç bëri së fundmi me Ballukun.