Connect with us

Rajon

BALLKANI NE HIJEN E RAKETAVE KINEZE

Në një rajon që prej dekadash përpiqet të ruajë një ekuilibër të brishtë mes stabilitetit dhe tensioneve të papërfunduara, zhvillimet e fundit ushtarake në Serbi kanë rikthyer një ndjesi të njohur pasigurie.
Ballkani, i rrethuar sot pothuajse tërësisht nga vende anëtare të NATO-s, po përballet me një paradoks të ri: një mjedis formal sigurie kolektive, por me rritje të perceptimeve të kërcënimit dhe demonstrimeve të fuqisë.
Konfirmimi nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç se Serbia ka integruar raketat hipersonike kineze CM-400AKG në avionët e saj luftarakë MiG-29 shënoi një moment të rëndësishëm në këtë dinamikë.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një blerje të re armësh, por për një transformim të aftësive operacionale që i jep Beogradit një kapacitet të ri për goditje në distanca të gjata.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre raketave dhe do të kemi edhe më shumë”, deklaroi Vuçiç, duke lënë të kuptohet se ky është vetëm fillimi i një faze të re armatimi.

Raketa CM-400AKG, e zhvilluar nga industria ushtarake kineze, është projektuar për goditje precize ndaj objektivave strategjikë, duke përfshirë radarë, infrastruktura kritike dhe objektiva detare.
Me një rreze veprimi që arrin deri në 400 kilometra dhe shpejtësi supersonike që mund të shkojë deri në Mach 5 ose 6, ajo i jep avionëve të kategorisë së mesme një kapacitet që më parë ishte i rezervuar për platforma shumë më të avancuara.
Por ajo që e bën këtë zhvillim veçanërisht të rëndësishëm nuk është vetëm performanca teknike, por mënyra e integrimit.
Në një analizë për Albanian Post, eksperti i fuqisë ajrore në Royal United Services Institute (RUSI), Christoph Bergs, vlerëson se integrimi i kësaj rakete i jep një dimension të ri operacional flotës së kufizuar dhe relativisht të vjetruar të MiG-29 që operon Serbia.
“Integrimi i CM-400 ofron një kapacitet ‘stand-off kundër objektivave detare dhe, sipas raportimeve, edhe ndaj radarëve, duke i dhënë një funksion të ri flotës së vogël të MiG-29”, thekson Bergs.
Ai shton se si një raketë me shpejtësi të lartë dhe rreze të gjatë veprimi, ajo mund të “mbajë në rrezik pjesë të Detit Adriatik, përfshirë ngushticën e Otrantos, si dhe objekte të rëndësishme të paralajmërimit të hershëm në rajon”.

Në praktikë, kjo përkthehet në një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si Serbia mund të projektojë forcën e saj ajrore, duke rritur fleksibilitetin operacional dhe duke ulur nevojën për ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore të kundërshtarit.
Por, sipas të njëjtit ekspert, ky zhvillim duhet parë edhe në një kontekst më të gjerë strategjik.
“Integrimi i CM-400 është një tjetër hap në përpjekjet e Serbisë për të integruar teknologji ushtarake kineze, duke kompensuar varësinë tradicionale nga Rusia”, shpjegon Bergs për Albanian Post.
Ai e cilëson këtë zhvillim si pjesë të një tendence më të gjerë globale, duke shtuar se “përhapja e sistemeve ushtarake kineze tregon se ndikimi i avancimeve teknologjike të Kinës nuk është më i kufizuar në Indo-Paqësor, por po shtrihet edhe në rajone si Ballkani”.
Megjithatë, rëndësia e këtij zhvillimi duhet parë edhe përmes filtrit të realitetit rajonal. Pavarësisht kapaciteteve të reja që fiton Serbia, fqinjët e saj janë në pjesën më të madhe vende anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga një sistem kolektiv mbrojtjeje dhe nga infrastruktura e avancuar e mbrojtjes ajrore dhe raketore.
Kjo e kufizon ndjeshëm efektin praktik të çdo arme të re, duke e zhvendosur peshën e saj nga fusha operative drejt asaj simbolike dhe politike.
Një zyrtar i NATO-s, në një përgjigje për Albanian Post, shmangu komentimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve të fundit lidhur me armatosjen e Serbisë, duke referuar çështjen tek autoritetet serbe.

Megjithatë, ai theksoi se Aleanca mbetet thellësisht e angazhuar për stabilitetin në rajon.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e NATO-s. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi sigurie”, u shpreh ai për Albanian Post.
Zyrtari nënvizoi rolin e vazhdueshëm të misioneve ndërkombëtare, duke përfshirë KFOR-in në Kosovë dhe mbështetjen për operacionin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon.
Në të njëjtën linjë, edhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk dha një koment të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet e fundit të armatosjes në Serbi. Në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, një zëdhënës i Pentagonit u shpreh shkurtimisht: “Nuk kemi asgjë për të shtuar për koment”.
Megjithatë, më herët, zyrtarë amerikanë kanë shprehur mbështetje të qartë për bashkëpunimin mbrojtës në rajon, veçanërisht për nismën mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv për forcimin e sigurisë dhe koordinimit ndërmjet partnerëve.
“Mbështesim bashkëpunimin mbrojtës mes të gjithë partnerëve tanë ballkanikë”, theksoi një zyrtar amerikan i Mbrojtjes në një deklaratë të mëhershme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit në një mjedis gjithnjë e më kompleks sigurie.
Ky koordinim po merr formë konkrete përmes nismës së bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, e cila përfshin stërvitje të përbashkëta dhe një thellim të koordinimit operacional.

Kjo iniciativë është parë nga Beogradi si një zhvillim shqetësues, duke nxitur reagime të forta nga lidershipi serb.
Vuçiç ka shprehur publikisht shqetësimin e tij për krijimin e aleancave të reja në rajon, duke e përshkruar situatën si kërcënuese për Serbinë.
Ai ka theksuar se përgjegjësia e tij kryesore është ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve, duke lënë të kuptohet se armatosja është një përgjigje ndaj një mjedisi të perceptuar si i pasigurt.
Megjithatë, kjo narrativë nuk reflekton konsensus rajonal.
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka shprehur hapur skepticizëm ndaj ritmit dhe natyrës së armatosjes së Serbisë, duke vënë në dyshim logjikën strategjike pas këtyre investimeve.
“Është vendimi i tyre sovran, por duhet të pranoj se nuk e kuptoj çfarë synojnë të arrijnë me këtë lloj armatimi”, deklaroi Milanović për mediat kroate, duke shtuar se dinamika e shpenzimeve ushtarake të Serbisë nuk është plotësisht e qartë.
Ai theksoi gjithashtu se, pavarësisht historisë së rajonit, Kroacia nuk përbën një kërcënim për Serbinë, duke hedhur poshtë çdo narrativë për plane sulmi dhe duke nënvizuar se vendi i tij nuk ka kapacitete për një ofensivë të tillë.
Në të njëjtën linjë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një deklaratë për Albanian Post, e cilësoi këtë armatosje si pjesë të një politike të qëndrueshme të Beogradit, e cila nuk lidhet me ndonjë kërcënim konkret nga fqinjët.

“Asnjë shtet fqinj i Serbisë nuk ka shfaqur ndonjë qëllim agresiv apo sulmues ndaj saj”, theksoi zyrtari i lartë, duke shtuar se blerjet ushtarake nga Kina dhe Rusia janë në vijimësi prej vitesh dhe reflektojnë një orientim strategjik të brendshëm, më shumë sesa një nevojë të menjëhershme për mbrojtje.
Ndërkohë, zhvillimet në terren kanë kontribuar në rritjen e tensioneve.
Stërvitjet e fundit të forcave serbe pranë kufirit me Kosovën, të shoqëruara me lëvizje të mjeteve ajrore, kanë nxitur reagime nga autoritetet në Prishtinë dhe Tiranë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka cilësuar këto veprime si provokuese dhe si shprehje e një qasjeje agresive.
“Ne për këtë u kemi shkruar faktorëve ndërkombëtar. Nga njëra anë, ata demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por nga ana tjetër kjo është edhe shprehje e frikës dhe pafuqisë së tyre”, deklaroi Kurti.
Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë mbajtur një ton më të kujdesshëm, duke theksuar koordinimin e plotë me aleatët.
“Republika e Shqipërisë të gjithë politikën e sigurisë e ka në përputhje me NATO-n, aleanca ushtarake më e fortë në botë”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke shtuar se qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim dhe se çdo veprim zhvillohet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mbajtur një qëndrim edhe më të rezervuar, duke i cilësuar lëvizjet e forcave serbe si aktivitete rutinë brenda territorit të Serbisë dhe jo si kërcënim për stabilitetin rajonal.

Ky kontrast mes perceptimeve politike dhe vlerësimeve institucionale është thelbësor për të kuptuar dinamikën aktuale të rajonit.
Në thelb, ajo që po ndodh në Ballkan nuk është vetëm një çështje armatimi, por një ndërthurje e fuqisë, perceptimit dhe politikës.
Raketat si CM-400AKG nuk janë vetëm mjete ushtarake; ato janë gjithashtu instrumente mesazhi.
Ato komunikojnë kapacitete, por edhe synime, frikëra dhe ambicie.
Në një rajon ku historia ka treguar se perceptimet shpesh peshojnë po aq sa realitetet, çdo zhvillim i tillë ka potencialin të ndikojë jo vetëm në balancën e fuqisë, por edhe në mënyrën se si aktorët e ndryshëm e shohin njëri-tjetrin.
Për këtë arsye, integrimi i raketave kineze në arsenalin serb duhet parë si pjesë e një tabloje më të gjerë, ku Ballkani nuk është më thjesht një hapësirë periferike, por një pikë ndërthurjeje e interesave globale.
Në këtë hapësirë, Kina, Rusia dhe NATO nuk janë thjesht aktorë të largët, por faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet strategjike të vendeve të rajonit.
Në fund, pyetja nuk është nëse Serbia po armatoset – por pse.
Dhe në Ballkan, përgjigjet për këtë pyetje rrallë janë vetëm ushtarake.

Advertisement