Bota
Presidenti iranian Pezeshkian-Macronit: Jemi gati për dialog duke respektuar rregullat
Prej orës 16:00 te dites se djeshme, SHBA konfirmuan se kanë nisur bllokadën për anijet që hyjnë dhe dalin nga portet Iraniane, sipas afatit të shpallur nga Presidenti amerikan Donald Trump. Mbi 15 anije amerikane nisën operacionin e kontrollit në Ngushticë.
Pas hyrjes në fuqi të afatit Donald Trump paralajmëroi ushtrinë e Iranit se do t’u shkatërrojë anijet e vogla që mund të shënjestrojnë ato amerikane në det. Ai thotë se nëse kjo ndodh, mjetet lundurese të Iranit do të eliminohen menjëherë.
Lidhur me negociatat, Trump u tha gazetarëve se ngërci në bisedimet me Iranin ishte çështja bërthamore. Ai bëri të ditur se zyrtarët në Teheran kanë telefonuar Uashingtonin dhe kanë thënë se dëshirojnë një marrëveshje.
Ndërkohë The Atlantic, duke cituar një burim në Teheran raporton se raundi i ardhshëm i negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të mbahet në Pakistan më 16 prill.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se do të thërrasë një samit të liderëve botërorë këtë javë me Presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Bashkimi Evropian nuk mbështet asnjë veprim që kufizon lundrimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit, tha për BBC-në Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, gati gjashtë orë pas fillimit të bllokadës amerikane të porteve iraniane.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian i konfirmoi homologut francez Emmanuel Macron se Teherani ishte gati për dialog, por me kusht respektimin e rregullave ndërkombëtare.
Po ashtu, Presidenca iraniane njoftoi se Pezeshkian i konfirmoi Presidentit Macron se çdo kërcënim për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit (referuar bllokadës së urdhëruar nga Presidenti Trump) do të kishte pasoja të gjera në tregtinë globale.
Zyrtarë të lartë në administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po diskutojnë detajet e një takimi të mundshëm me zyrtarët iranianë nëse do të krijohet mundësia, para se të skadojë armëpushimi.
CNN raportoi se një burim të përfshirë në negociata theksoi se nuk është e sigurt nëse një takim i tillë do të zhvillohet dhe se diskutimet janë ende në fazat paraprake. Sipas burimit, zyrtarët po vlerësojnë datat dhe vendet e mundshme për bisedimet, nëse ato do të materializohen.
Por pavarësisht përpjekjeve për një zgjidhje diplomatike që do të mund t’i jepte fund krizës në Lindjen e Mesme, Izraeli ka vijuar edhe sot sulmet në Liban, duke vënë në shënjestër infrastrukturën e Hezbollahut. Avichay Adraee, zëdhënësi i Izraelit tha se forcat ajrore izraelite sulmuan “rreth 150 objektiva të lidhura me grupin terrorist Hezbollah në 24 orët e fundit”.