Connect with us

Kosova

Kujt i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe çfarë do të mund të sillnin ato

Mungesa e kompromisit për zgjedhjen e presidentit po thellon krizën politike në Kosovë. Zgjedhjet e parakohshme duken të mundshme, por pa garanci për zgjidhje. A do të mund ta zhbllokonin ato situatën apo në të kundërt, do ta përkeqësonin?

Sinjalet që dhanë subjektet kryesore politike në Kosovë nuk paralajmërojnë një kompromis të mundshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit deri më 28 prill.

Kujt i leverdisin ato?

Vëzhguesit e zhvillimeve politike konsiderojnë se subjektet politike nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta zgjidhur nyjën e krizës politike dhe institucionale.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se, përgjithësisht, të tri partive po iu konvenojnë zgjedhjet.

Sipas tij, LVV-ja ka shfaqur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje, pasi nuk arriti t’i tejkalonte përplasjet me Vjosa Osmanin, tashmë ish-presidente e vendit, për ta propozuar edhe për një mandat të dytë.

Megjithatë, ai konsideron se partia e kryeministrit Albin Kurti nuk e ka pozitën e favorshme njëjtë sikur në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur fitoi mbi 51 për qind të votave.

Po çfarë do të mund të ndryshonte pas zgjedhjeve eventuale?

Paçarizi konsideron se një gjë është e sigurt, se LVV-ja nuk do të ishte e gatshme t’i ndryshonte raportet me partitë politike që aktualisht janë në opozitë dhe ndoshta Vjosa Osmani do të arrinte që t’ia shkëpuste një 5 përqindësh.

Ai shtoi se, për të arritur deri te një zgjidhje që nënkupton zgjedhjen e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe presidentin, LVV-ja do të duhej të binte nën 40 deputetë, ndërsa opozita aktuale të bëhej më e fuqishme me numra. Në të kundërtën, LVV-së do t’i duheshin rreth 70 deputetë që të mund të gjente zgjidhje si e vetme.

Po si të zgjidhet nyja e krizës politike dhe institucionale?

Analistët nuk besojnë që mozaiku i renditjes së subjekteve në skenën politike do të ndryshonte në mënyrë substanciale.

Për Paçarizin, e vetmja shpresë që të shmangej një bllokadë e sërishme institucionale dhe kushtetuese është që partitë politike ta kuptonin raportin e forcave ndërmjet tyre, si dhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Advertisement