Bota
Ata janë përçarë/ Trump: Kemi kontroll total mbi Ngushticën e Hormuzit, presioni ndaj Iranit po rritet
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë “kontroll total” mbi Ngushticën e Hormuzit, duke theksuar se asnjë anije nuk mund të hyjë apo të dalë pa miratimin e Marinës Amerikane.
Në një postim në Truth Social, Trump pretendoi se ngushtica është e mbyllur fort” dhe se kjo situatë do të vazhdojë derisa Irani të arrijë një marrëveshje.
Ai gjithashtu foli për përçarje të brendshme në Iran, duke përmendur tensione mes “linjës së ashpër” dhe “të moderuarve”, për të cilët tha se po fitojnë më shumë respekt në rrethanat aktuale.
Më herët Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar Marinën Amerikane të qëllojë dhe shkatërrojë çdo mjet lundrues që vendos mina në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump theksoi se nuk duhet të ketë asnjë hezitim ndaj çdo anijeje edhe të vogël që përbën kërcënim në këtë zonë strategjike.
Ai shtoi se operacionet për pastrimin e minave në ngushticë janë duke vazhduar dhe ka urdhëruar që intensiteti i tyre të trefishohet.
Ngushtica e Hormuzit cilësohet një nga pikat më kritike për transportin global të naftës dhe gazit, dhe çdo tension në këtë zonë ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë globale.
Deklarata e Trump vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.