Connect with us

Kosova

DESHTIM I MADH, KOSOVA SERISH SHKON NE ZGJEDHJE

S’ka president të ri për Kosovën, ka zgjedhje të reja…
Deputetët e legjislaturës së X-të kanë dështuar të zgjedhin presidentin e ri të vendit, edhe pas periudhës shtesë prej 34 ditësh të dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Me këtë rast, hapet rruga për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat pritet t’i kushtojnë vendit 10 milionë euro.
Kjo do të jetë hera e dytë që vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Tani, brenda 45 ditëve, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja, të cilat pritet të zhvillohen më 31 maj ose më së largu më 7 qershor.
Liderët opozitarë nuk kanë marrë pjesë në asnjërën prej seancave të thirrura për çështjen e presidentit. Lëvizja Vetëvendosje, në ditën e parafundit, tërhoqi dy kandidaturat e saj, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçakun, dhe propozoi dy emra të rinj, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, të cilët i vlerësoi si jopartiakë.
Madje, LVV-ja të hënën votoi për presidentin, duke i siguruar Rushitit 63 vota, ndërkohë që një deputet abstenoi. Për këtë, shoqëria civile reagoi, duke thënë se zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte kërkuar që Vjosa Osmanit t’i siguroheshin 66 vota, por propozimi i kryeministrit Albin Kurti ishte që Osmani të bëhej kundërkandidate e Rushitit, ndërkohë që nënshkrimet për garë do të ia siguronte partia që udhëheq ai.

Po ashtu, Kurti deklaroi se Hoxha do të tërhiqej nga kandidatura nëse LDK-ja do ia siguronte 15 nënshkrime Osmanit.
Megjithatë, ky opsion nuk e bindi LDK-në, të cilët thanë se propozimi i Kurtit kishte për qëllim vetëm mundësimin e zgjedhjes së presidentit dhe për këtë arsye nuk do ta dërgonin 15 nënshkrimet për kandidaturën e Hoxhës.
Në anën tjetër, pas takimeve që u zhvilluan mes Kurtit dhe partive opozitare, PDK-ja dhe LDK-ja vlerësuan se Kurti i dëshiron të gjitha pushtetet për vete. PDK-ja nuk pranoi të takohet me Kurtin pas afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, ndërkaq Abdixhiku zhvilloi edhe dy takime të tjera, por pa rezultat.
Presidenti zgjidhet me dy të tretat e votave të deputetëve në dy raundet e para të votimit, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica prej 61 votash. Megjithatë, për të zhvilluar seancën e votimit kërkohet prania e së paku 80 deputetëve në sallë.
Për këtë arsye, zgjedhja e presidentit varet domosdoshmërisht nga një marrëveshje ndërmjet partive parlamentare, pasi asnjëra prej tyre nuk ka shumicën e nevojshme për ta zgjedhur vetë.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në pushtet me 57 deputetë në Kuvendin prej 120 ulësesh, nuk e ka numrin e mjaftueshëm për ta siguruar zgjedhjen pa mbështetjen e partive të tjera.
Qytetarët e Kosovës kanë votuar më 9 shkurt të 2025, por pasi nuk u arrit të konstituohen institucionet e reja, partitë politike detyruan qytetarët t’u rikthehen qendrave të votimit më 28 dhjetor të atij viti. Sipas situatës aktuale, qytetarët pritet të votojnë sërish për herë të tretë brenda pak muajsh, pasi vendi arriti t’i formojë institucionet me mandat të plotë.

 

Advertisement