Connect with us

Kosova

Interesi i Amerikës së Donald Trump bie, teksa Vuçiç bën lojëra në rrethana të reja

Gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të pushtetit të progresistëve të presidentit serb Aleksander Vuçic dhe aleatëve të tyre, raporti global i forcave ka ndryshuar ndjeshëm. Politika e balancimit mes fuqive të mëdha, mbi të cilën ka këmbëngulur diplomacia e Vuçiqit, tani është përballë sfidave të shumta.

Edhe pse kandidate për anëtarësim në BE, Serbia prej katër vjetësh nuk ka hapur asnjë kapitull në negociata, ndërsa ndër sfidat kryesore renditet mosharmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, para së gjithash mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj të Ukrainës.

Megjithëse nga Beogradi flitet për “lidhje të forta” me Moskën, disa kritika nga Kremlini, si ato për shitjen e pretenduar të armëve Ukrainës, kanë lëkundur “miqësinë tradicionale”.

Një sinjal i marrëdhënieve më korrekte me Moskën u pa së fundmi në gatishmërinë e Rusisë që për tre muaj të mbetet furnizuesi kryesor i gazit për Serbinë, për çka Vuçiçi falënderoi personalisht liderin rus Vladimir Putin.

BE-ja pret nga Serbia që të ndjekë ritmin e uljes së varësisë nga gazi rus, që deri në janar 2028 duhet të përfundojë plotësisht.

Biseda me Putinin është vetëm një ndryshim i vogël krahasuar me situatën e pakëndshme në të cilën Vuçiqi u gjend në shtator të vitit të kaluar në Pekin, kur Putini para kamerave shfletonte dokumente ndërsa Vuçiqi i drejtohej.

Persa i përket SHBA-së, siç tha në një intervistë për REL, Edward Joseph, ekspert amerikan, administrata e Trampit nuk është e interesuar për “lojërat e Vuçiqit”.

Advertisement