Bota
Trump: Do ta shqyrtoj planin e ri që na ka dërguar Irani
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën në mbrëmje se së shpejti do të shqyrtojë një plan të ri nga Irani, por se “nuk mund ta imagjinojë se do të ishte i pranueshëm”.
“Ata më treguan për konceptin e marrëveshjes. Tani do të më japin formulimin e saktë”, u tha ai gazetarëve ndërsa hipte në Air Force One në Florida.
Irani paraqiti një përgjigje prej 14 pikash ndaj një propozimi nga SHBA-ja, raportoi të shtunën agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit
Tasnim raportoi se SHBA-ja propozoi një armëpushim dy-mujor, por se Irani beson “se çështjet duhet të zgjidhen brenda 30 ditëve” dhe se negociatat duhet të përqendrohen në “përfundimin e luftës” në vend të zgjatjes së një armëpushimi.
Zyrtarët iranianë ende nuk kanë komentuar publikisht mbi detajet e përgjigjes së raportuar.
Presidenti gjithashtu kundërshtoi vërejtjet që bëri të premten në mbrëmje, kur tha: “Sinqerisht, ndoshta është më mirë të mos bëjmë fare një marrëveshje. A doni ta dini të vërtetën? Sepse nuk mund ta lëmë këtë gjë të vazhdojë”.
“Nuk e thashë këtë”, tha Trump të shtunën.
“Thashë se nëse largohemi tani, do t’u duheshin 20 vjet për ta rindërtuar. Por ne nuk po largohemi tani”, u tha ai gazetarëve.