Aktualitet
PERBALLJA ME TRUMP, EUROPA NE PIKIATE
Rendi ndërkombëtar ka hyrë në një epokë të re. Bota po rimodelohet nga rivaliteti mes Amerikës dhe Kinës. Në këtë udhëkryq historik, Evropa nuk mund të mjaftohet më duke parë nga dritarja, por duhet të gjejë forcën dhe reagojë për të mos u shtypur mes dy gjigantëve…
Takimi i sotëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, mbart një peshë që tejkalon rëndësinë e një ceremonie protokollare. Ai na shpërfaq qartë përmes forcës së shembullit gjendjen e sotme dhe të ardhme të marrëdhënieve ndërkombëtare (apo të gjeopolitikës, siç preferohet të thuhet rëndom) dhe lidhjen e tyre të pazgjidhshme me ekonominë.
Ky samit tregon gjithashtu se sa rrënjësisht kanë ndryshuar ekuilibrat në dekadat e fundit. Nuk duhet të na bëjë përshtypje që një samit politik mes krerësh shteti lidhet kaq ngushtë me ekonominë.
Përtej faktit që tregtia dhe biznesi do zënë vendin qendror në bisedimet Trump-Xi – siç e vërteton edhe shpura e oligarkëve që shoqëron presidentin amerikan – historia na mëson se marrëdhëniet mes kombeve udhëhiqen nga dy motive kryesore: identiteti (“ne” kundër “atyre”) dhe interesi ekonomik.
Këto dy pole janë të ndërvarura, dhe dëshminë më të freskët për këtë e gjejmë pikërisht te lëvizjet e mandatit të dytë të presidentit amerikan. Donald Trump, ky kampion i politikave identitare, e ka shndërruar defiçitin tregtar të SHBA-së në një kalë beteje, duke e shitur atë si provë të një “komploti global” kundër Amerikës.
Kjo e shtyu atë të shpallte “luftën e tarifave”, veçanërisht ndaj Kinës, e cila mbulon pjesën më të madhe të këtij defiçiti. Nga ana tjetër, Pekini u kundërpërgjigj duke bllokuar eksportin e mineraleve të rralla, elemente jetike për teknologjinë e lartë, që është edhe krenaria e industrisë amerikane.
Takimi i tyre i parë, gjashtë muaj më parë, shërbeu vetëm për të ulur disi temperaturën, por pa prodhuar asnjë zgjidhje reale. Në fakt, Trump dhe rrethi i tij prekin një plagë reale: çekilibrin e madh në llogaritë korrente të Amerikës.
Mirëpo, ata dështojnë plotësisht në diagnozë dhe po përpiqen ta kurojnë me një terapi të dëmshme, siç janë tarifat. Siç e theksonte edhe Martin Wolf në Financial Times, ky problem është sa i vërtetë, aq edhe akut. E vërteta e hidhur është se amerikanët kursejnë shumë më pak seç duhet për të financuar investimet që kërkon aftësia e tyre e pashtershme inovative. Për pasojë, ata thithin kapital nga pjesa tjetër e botës, e cila është më se e lumtur t’i investojë paratë në vendin më të fuqishëm dhe të sigurt. Por kur amerikanët kursejnë pak, do të thotë se konsumojnë shumë, duke u bërë “vrimë e zezë” për importet.
Kështu, rrethi mbyllet: Shtetet e Bashkuara grumbullojnë borxhe mbi borxhe. Për momentin, të gjithë duken të kënaqur, si debitori ashtu edhe kreditorët. Por historia na mëson se çekuilibra të tillë nuk zgjasin pafund.
Herët a vonë ato shpërthejnë, duke sjellë ose konflikte të përgjakshme, ose kriza ekonomike shkatërruese. Për të shmangur këtë fund, amerikanëve do t’u duhej të shtrëngonin rripin dhe të rritnin kursimet, një operacion ky politikisht i pamundur pa ndodhur më parë një katastrofë.
Trump dhe “trumpistët” as nuk duan t’i kuptojnë këto parime elementare ekonomike. Ata mjaftohen me luftën e tarifave, e cila në fund godet pikërisht votuesit e tyre përmes rritjes së çmimeve dhe inflacionit.
Dhe kjo na sjell te ndryshimi i madh i dekadave të fundit. Dikur, politika ekonomike synonte vetëm mirëqenien e qytetarëve dhe shpërndarjen e pasurisë. Sot, ajo është e lidhur nyje me sigurinë kombëtare.
Siguria e një vendi sot varet drejtpërdrejt nga sa konkurruese është ekonomia e tij dhe sa avantazh ka në prodhimin e teknologjive të reja. Rendi botëror i pasluftës, i bazuar te tregtia e lirë, globalizimi dhe lëvizja e hapur e ideve nën ombrellën e institucioneve ndërkombëtare, po shpërbëhet.
Në atë kohë, Evropa nuk shqetësohej shumë për sigurinë. Sepse kjo ishte detyrë e NATO-s dhe mbi të gjitha, e Amerikës si një hegjemon ushtarak. Por sot, me rritjen galopante të Kinës, agresivitetin e Rusisë dhe krizën e brendshme të vetë SHBA-së, kjo mbrojtje prindërore po venitet.
Evropa po zgjohet në një botë të re ku “çuditë” e administratës Trump po shkundin themelet e Perëndimit. Edhe nëse kjo administratë do të largohet nesër me votë, procesi i ndryshimit të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk do të ndalet.
Prandaj, Evropa nuk ka rrugë tjetër. Ajo duhet të riorientojë politikat e saj ekonomike drejt mbrojtjes dhe konkurrencës teknologjike, duke u rikthyer pa komplekse te politikat industriale që dikur i përbuzte.
Përballja midis Kinës dhe Amerikës do të jetë e gjatë, por leksioni për ne është i qartë: ose do të bëhemi lojtarë, ose do të mbetemi thjesht spektatorë të rënies sonë./“La Stampa”
